Biznesmenja dhe botuesja e gazetës “Kosova Sot”, pesë vjet pasi pësoi sulm në tru ka rrëfyer për sfidat shëndetësore që i ka kaluar e me të cilat po vazhdon të përballet ende.
Kadriu, e cila para 5 viteve pësoi një goditje në tru, në një video të publikuar tregon se si pasojë e gjendjes së saj shëndetësore, iu shfaq afazia dhe hemiplegjia e djathtë (paralizë e anës së djathtë të trupit).
Ajo thotë se kishte humbur aftësinë edhe për të folur, e këtë problem vazhdon ta ketë ende vite më pas, transmeton gazeta online Reporteri.net.
“Afazia ishte një përvojë e hidhur për mua, jo vetëm fizikisht, por edhe emocionalisht. Një gjë është të humbasësh aftësinë për të folur, por tjetër gjë të ndihesh e izoluar sepse nuk mund të lidhesh me botën që të rrethon”, tha Kadriu.
“E ndjeva veten duke u larguar nga kjo botë. Në atë moment, ndjeva një prani, një zë të qetë, ngushëllues. Dukej sikur Zoti ishte atje, me mua. Zoti më tha: Nuk është ende koha për të shkuar. Ke shumë për të bërë, më shumë për të përjetuar dhe më shumë për të dhënë. Ky mesazh më mbushi me vendosmëri”, shprehet tutje ajo.
Ajo thotë se çdo gjë i duhej ta mësonte nga e para pasi rruga drejt rimëkëmbjes ishte e gjatë dhe e rraskapitshme. Kadriu rrëfen se në këtë periudhë të rëndë, djali i saj autik, u bë kujdestari i saj deri në shërim.
“Djali im Eriku i cili është autik, u bë kujdestari im pavarësisht sfidave me të cilat përballet vet. Ai, Eriku, mori përgjegjësinë për të më ndihmuar mua të shërohem dhe të përshtatem me një mënyrë të re jetese”, shprehet ajo.
Kadriu, që ishte edhe ish-deputete e Kuvendit të Kosovës gjatë legjislaturës së 5-të, ka publikuar një libër për këtë përvojë.
Në vitin 2014, ajo kishte nisur rrugëtimin në politikë me aderimin në PDK, ku duke qenë pjesë e kësaj partie, kishte arritur te fitoje mandatin e deputetes./Reporteri.net/