Inspektorati Sanitar i Ministrisë së Shëndetësisë ka marrë vendim për mbylljen e përkohshme të objektit “Proex SH.P.K. – Njësia 15” në Vushtrri, që operon si depo furnizuese e rrjetit të marketeve “Interex”.
Në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, Ministria e Shëndetësisë thotë vendimi është marrë pas një kontrolli sanitar të kryer më datë 3 qershor 2025, ku janë evidentuar “shkelje serioze të kushteve higjieno-sanitare të cilat përbëjnë rrezik për shëndetin e konsumatorëve”.
“Ju konfirmojmë se më datë 03.06.2025, pas një kontrolli sanitar nga Inspektorati Sanitar, është marrë vendimi për mbyllje të përkohshme të objektit “Proex SH.P.K. – Njësia 15”, në Vushtrri, i cili operon si depo e rrjetit të marketeve “Interex”. Vendimi është marrë bazuar në Ligjin për Ushqimin (Nr. 03/L-016), për shkak të shkeljeve të rënda të kushteve higjieno-sanitare, të cilat përbëjnë rrezik për shëndetin e konsumatorëve dhe sigurinë ushqimore”, thuhet në përgjigjjen e Ministrisë së Shëndetësisë për Reporteri.net.
Në mesin e shumë parregullësive, në depon e rrjetit të marketeve “Interex”, Inspektorati ka gjetur edhe produkte me afat të skaduar e erë të rëndë, ndërsa ka kërkuar edhe largimin e produkteve ushqimore dhe pijeve të ekspozuara në diell.
Ndaj “Interex”, janë kërkuar një sërë masash të detyrueshme për rikthimin e kushteve të përshtatshme për operim.
“Të sigurojë hapësirë në objekt e cila i plotëson kushtet sanitare-teknike dhe higjienike; Të bëhet riparimi i ventilimit në nyje sanitare; Të bëhet rregullimi ventilimit në tërë hapësirën e depos; Të bëhet rregullimi i mureve (largimi i mykut/lagështisë) Të bëhet rregullimi i dyshemesë/pllakave; Largimi i pijeve dhe produkteve të tjera ushqimore nga hapësirat e jashtme dhe të ekspozuara në diell; Nga ruajta e produkteve me afat të skaduara me erë të rëndë, si dhe Gelqerosja e gjithë objektit”, janë disa nga parregullësitë që autoritetet shëndetësore i kanë gjetur në depon e “Interex”, janë kërkesat e caktuara nga MSh-ja.
Gjithashtu, Ministria ka bërë të ditur se objekti s’do të lejohet të rifillojë aktivitetin deri në zbatimin e plotë të masave të kërkuara.
“Këto mangësi të evidentuara kanë çuar në marrjen e masës për mbyllje të përkohshme me afat zbatimi deri në përmirësimin e kushteve, por jo më shumë se 30 ditë nga pranimi i vendimit”, thonë nga MSh-ja për Reporteri.net.
Lidhur me rastin, deri tani nga ana e kompanisë “Interex” nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar. /Reporteri.net/.