Rrezikohet mbajtja e zgjedhjeve në Podujevë, KQZ-ja nuk ka buxhet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KZQ) ka bërë të ditur të martën, se nuk është miratuar buxheti për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Podujevë dhe si pasojë e kësaj, rrezikohet mbajtja e këtyre zgjedhjeve.


Kryeshefi ekzekutiv i Sekretaritit të KQZ-së, Yll Buleshkaj, gjatë mbledhjes të së martës, tha se nga Qeveria janë kërkuar 491 mijë euro për të dy raundet në këto zgjedhje, por Qeveria nuk e ka miratuar këtë buxhet deri më tash.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka ka thënë se mosndarja e buxhetit me kohë rrezikon mbajtjen e zgjedhjeve në këtë komunë. Sipas saj, KQZ-ja ka kryer të gjitha procedurat me rregull dhe me kohë. Daka shtoi se KQZ-ja nuk mban përgjegjësi në rast të dështimit të mbajtjes së zgjedhjeve.

Posti i kryetarit të Komunës së Podujevës ka mbetur vakant, pasi kryetari i deritashëm, Agim Veliu, është emëruar ministër në Qeverinë Kurti.

“Ne jemi 25 ditë larg nga dita e zgjedhjeve. Asnjëherë nuk na ka ndodhur që të mos kemi buxhet 25 ditë para ditës së zgjedhjeve. Siç e dini, tradicionalisht fletëvotimet asnjëherë nuk janë shtypur në Kosovës, por jashtë Kosovës për shkak se specifikat e tyre nuk mund t’i përmbush asnjë kompani në Kosovë”, ka thënë Daka.

Ajo ka shprehur brengën se me çdo ditë të vonuar, mund të dështojë procesi, pasi procedurat e prokurimit kërkojnë afate ligjore, që nuk mund të tejkalohen, njofton KP.

“Nga dita e sotme ne si KQZ nuk mund ta bartim përgjegjësinë për çfarëdo lloj dështimi të afateve, ashtu siç u tha mund të na ndodhë që në ditën e zgjedhjeve të mos i kemi fletëvotimet dhe është mirë që publikisht të dihet se ne, kërkesën e kemi bërë me kohë”, u shpreh Daka.

Anëtari i LDK-së në KQZ, Sami Hamiti, tha me këtë që po ndodh është i garantuar dështimi i zgjedhjeve në Podujevë. Sipas tij, të gjitha afatet ligjore po tejkalohen.

“Definitivisht me këtë trend, zgjedhje nuk do të ketë në Podujevë, ose mund të ketë zgjedhje duke i kaluar krejt ligjet, me i fotokopju fletëvotimet, por zgjedhje të rregullta në Podujevë sipas ligjit nuk mund të ketë”, tha Hamiti.

Edhe anëtarët e partive tjera politikë shprehen brengën se procesi mund të dështojë.

Afati i fundit për paraqitje të kandidatëve për zgjedhjet në Podujevë, ishte të hënën dhe këtë e shfrytëzuan tri parti politike: LDK-ja do të garojë me Nexhmi Rudarin, VV-ja me Shpejtim Bulliqin dhe PDK-ja me Naim Fetahun.