Po vazhdon ende bastisja e shtëpisë së Adil Behramaj, ish-këshilltari i ish-presidentit, Hashim Thaçi.
Në disa fotografi që ka siguruar Gazeta Online Reporteri.net, shihet një prezencë e shtuar e pjesëtarëve të njësisë speciale të EULEX-it, jashtë banesës së ish-këshilltarit të Thaçit.
Përpos njësive të EULEX-it, në këtë bastisje po asiston edhe Policia e Kosovës, bastisje kjo që nisi me urdhër të prokurorit të Dhomave të Specializuara.
Aktualisht është bllokuar edhe parkingu i ndërtesës ku banon Behramaj.
Nga Zyra Prokurorit të Specializuar, nuk kanë komentuar bastisjen në banesën e ish-këshilltarit të Thaçit.
Në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, nga ZPS-ja kanë thënë se nuk mund të komentojnë mbi hetimet e veta.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk komenton mbi hetimet e veta”, ka thënë zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennett për Reporteri.net.
Kujtojmë se në ditën e 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovë, ish kreut politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Gjykata Speciale ia ka vazhduar paraburgimin.
Gjykimi në rastin e Thaçit dhe të tjerëve pritet të fillojë më datë 3 prill. /Reporteri.net/.