Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se nga janari i vitit të ardhshëm pritet të ketë rritje të pagave për sektorin publik. Ai bëri të ditur se kjo rritje do të bëhet në dy faza, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kurti në një konferencë për media ka thënë se nga janari do të jetë një pjesë e rritjes së pagave, e nga korriku i 2025-s do të jetë pjesa e dytë e rritjes. Kurti tha se për të gjithë të punësuarit në sektorin publik, nga janari pagat do të rriten për 55 euro, e nga korriku i vitit 2025 rritja do të jetë për 110 euro.
Kurti tha se kjo po bëhet për t’i mbështetur ata që kanë paga më të ulëta. Shefi i ekzekutivit tha se në këtë mënyrë zvogëlohet edhe më tej hendeku në mes të pagës më lartë dhe asaj më të ulët. Ai shpjegoi se për mësuesin, policin, infermierin zjarrfikësin, ushtarin rritje në përqindje do të jetë nga 18 deri në 20 përqind, kurse për pozitat më të larta rritja në përqindje do të jetë 6 deri në 7 përqind.
“Ne kemi vendosur që të mos mos e rrisim vlerën e koeficientit, por kemi vendosur që ta rrisim koeficientin për një njësi, për secilin punonjës të sektorit publik. Pra vlera e një koeficienti mbetet 110 euro, mirëpo rritet sasia e koeficienteve për një njësi. Nga janari i vitit të ardhshëm rritet për gjysmë njësie dhe pastaj nga korriku edhe për gjysmë njësie tjetër. Pra dikush që e ka koeficientin 5.6, në janar i bëhet 6.1, kurse në korrik 6.6, ngjashëm. Shprehur në vlerë monetare i bie që për të gjithë punësuarit në sektorin publik, pagat për ta do të rriten për 55 euro duke filluar nga janari dhe për 110 euro nga korriku i 2025. Në këtë mënyrë rritjen buxhetore e shpërndajmë mbiproporcionalisht tek ata që i kanë pagat më të ulëta duke zvogëluar kësisoj edhe më tej hendekun në mes të pagës më të lartë dhe asaj më të ulët. Pra, për mësuesin, policin, infermierin zjarrfikësin, ushtarin rritje në përqindje do të jetë nga 18 deri në 20 përqind, kurse për pozitat më të larta rritja në përqindje do të jetë 6 deri në 7 përqind”, ka thënë Kurti.
Detaje dha edhe Ministri i Financave, Hekuran Murati.
“Edhe në diskutimet që kemi pasur me partnerët tanë ndërkombëtarë, ka qenë një negocim I vazhdueshëm, në mënyrë që t’i bindim. Rritja e pagave bëhet në dy faza, në mënyrë që të mundësohet edhe përfshirja brenda për brenda kufirit buxhetor. Fillimisht rritja e parë do të bëhet nga pagat e janarit, 55 euro bruto për të gjithë të punësuarit, ndërsa faza e dytë, nga korriku hyn në fuqi pjesa e dytë e rritjes, pra gjysma tjetër e koeficientit, për të rezulutuar në një koeficient të plotë, pra 110 euro shtesë për secilin të punësuar në sektorin publik”, deklaroi Murati para gazetarëve.
Ndërkaq, i pyetur se kur do të dorëzohet në Kuvend Ligji i Buxhetit, Murati bëri të ditur se ekipet janë në finalizim të këtij ligji dhe sapo të jetë gati, do të thërrasin mbledhje për ta proceduar në Kuvend.
“Ekipet janë duke e finalizuar ligjin e buxhetit, sapo ta kemi gati, ditën e nesërme mund të mblidhet mbledhja për ta proceduar më pas në Kuvend. Ligji i buxhetit s’do të bëhet pjesë e ndonjë beteje politike, apo fushate zgjedhore, sepse është ligj që duhet të kalohet me patjetër”, deklaroi tutje Murati./Reporteri.net/