Lëvizja Vetëvendosje më 9 janar i ka bër një ofertë të re LDK-së për arritjen e koalicionit qeverisës, ku një nga propozimet është të shtohet numri i ministrive nga 12 sa ishin dakorduar në 14-të.
Me këtë rritje të ministrive LDK do t’i kishte 6, VV 5 dhe 3 ministri pakicat.
Këtë e ka bërë të ditur dje përmes një postimi në Facebook, nënkryetari i VV-së, Besnik Bislimi.
“E shtojmë numrin e ministrive në qeveri, nga 12 në 14 sosh, me ç’rast Lëvizja Vetëvendosje i ka 5 ministri kurse Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 6 ministri. Ministria shtesë për LDK vjen si pjesë e njërës prej ministrive më të mëdha që ka LVV. 3 ministri i kanë pakicat, siç edhe parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Vlen dakordimi i mëhershëm që zëvendëskryeministri i parë i takon LDK-së, ndërkaq zëvendëskryeministri i dytë LVV-së”, ka shkruar ai.
Thyerja e premtimit nga Kurti, pra rritja e ministrive në 14 ka ngjallure jo pak reagime, sidomos tek njohësit e rrethanave politike, ku disa prej tyre thonë se nga kjo përfiton Lista Serbe pasi merr plus një ministri.
Por a është e vërtetë kjo?
Kushtetuta e Kosovës në nenin 96 të saj e thotë se nëse qeveria ka më tepër se 12 ministri, një dikaster qeveritar i takon komuniteteve joshumicë, por nuk thotë komunitetit serb, siç specifikon në rastin kur qeveria ndërtohet me 12 ministri, kur thotë prerë se një ministër i takon komunitetit serb, shkruan Reporteri.net.
“Në Qeveri do të jenë së paku një (1) Ministër nga komuniteti Serb dhe një (1) Ministër nga ndonjë komunitet tjetër joshumicë në Kosovë. Nëse janë më shumë se dymbëdhjetë ministra, Qeveria do të ketë edhe një ministër të tretë, i cili përfaqëson një nga komunitetet joshumicë në Kosovë”, thuhet në pikën 3 të nenit 96 të Kushtetutës.
Edhe pse se parashah më tej Kushtetuta, kjo sikur i mbetet në diskrecion të Kryeministrit se cilin përfaqësues të komuniteteve e propozon Ministër. /Reporteri.net/.