×
  • Lajme
  • Lajme

    Rrjeti i Grave dënon gjuhën e përdorur nga Mentor Shala ndaj Doarsa Xhelilit

    Reporteri
    18 Qershor 2021 | 17:24

    Rrjeti i Grave të Kosovë (RrGK) ka reaguar pasi sot, zëvendësdrejtori gjeneral i Radio Televizionit të Kosovës, Mentor Shala, i është drejtuar me këtë gjuhë deputetes Doarsa Kica-Xhelili, e cila njëherit është edhe Kryetare e Komisionit Parlamentar për Media.


    Përmes një komunikate për media, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), për të disatën herë përsërit thirrjen për ndërprerjen e gjuhës seksiste e mizogjeniste ndaj grave në politikë dhe vendimmarrje.

    “Pa u lëshuar në polemikën ndërmjet Kica-Xhelilit e Shalës, gjuha e Shalës duhet dënuar, dhe si e tillë nuk përket askund, e aq më pak në televizionin publik- pagat e së cilit paguhen nga taksat e qytetarëve. Gjuha e Shalës është seksiste e diskriminuese ndaj grave, si dhe për më tepër mirëmban dhe riprodhon raportet veçse të pabarabarta shoqërore, ekonomike dhe kulturore ndërmjet grave dhe burrave.

    Çdo fjali e Shalës në publikimin e tij të bërë në rrjetin social Facebook është seksiste e diskriminuese. Asnjë fjali e Shalës nuk është kritikë për punën e Kica-Xhelilit si deputete- post që ajo e mban nga votat e qytetarëve. Shala, thjesht nuk do të duhej të merrej fare me pamjen e deputetes Kica-Xhelili, apo të cilës do deputete tjetër”, thuhet në komunikatën e tyre.

    Po ashtu, në këtë reagim thuhet se hratë vazhdojnë të jenë pjesë konstruktive e proceseve politike në Kosovë, andaj RrGK e dënon ashpër çdo tentativë për zhvleftësimin e rolit të tyre politik përmes akteve seksiste dhe mizogjeniste.

    “Gjithashtu, kjo praktikë e sfidon rrënjësisht arritjen e një shoqërie të barabartë, gjithëpërfshirëse, si dhe dëmton dhe aspiratat progresive të Republikës së Kosovës”.

    Kica-Xhelili në një intervistë gjatë mbrëmjes së djeshme e kishte përmendur Mentor Shalën, si zyrtar të RTK-së, ndërsa Shala përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se po i duket se Doarsa e ka mendjen vetëm tek ai dhe e ka ftuar për një takim.

    Deklarata e Shalës ka marrë reagime edhe nga deputetë si dhe nga jursitja e mediave, Flutra Kusari e cila kakërkuar që RTK-ja të ndërmarrë menjëherë masa disiplinore.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!