×
  • Lajme
  • Lajme

    Rusia e fajëson SHBA-në për sulmin raketor ukrainas në Krimenë e uzurpuar

    Reporteri
    24 Qershor 2024 | 14:13
    Flamuri i SHBA-së dhe i Rusisë. Fotografi nga arkivi.

    Rusia ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë përgjegjëse për një sulm raketor ukrainas në Gadishullin e Krimesë së uzurpuar nga Rusia.

    Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se në sulmin 23 qershorit u përfshinë pesë raketa me rreze të gjata veprimi, me të cilat Shtetet e Bashkuara e kanë furnizuar Ukrainën këtë vit.

    Katër prej raketave ATACMS u rrëzuan nga kundërajrorët rusë, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa e pesta shpërtheu në ajër.

    Rusia tha se si pasojë e rënies së copëzave të raketave në afërsi të Sevastopolit u vranë katër njerëz, përfshirë dy fëmijë, dhe u plagosën 151 të tjerë.

    Guvernatori rajonal i Sevastopolit, Mikhail Razvozhayev, tha se pesë njerëz u vranë.

    Rusia e kapi dhe e aneksoi jashtëligjshëm Krimenë e Ukrainës në vitin 2014, dhe pastaj e emëroi një qeveri lokale, pavarësisht se ky territor është ende pjesë e Ukrainës zyrtarisht.

    Prej se Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës më 2022, Kievi është zotuar se do ta rimarrë kontrollin në territorin e vet dhe i ka sulmuar caqet ushtarake dhe detare të Rusisë në Krime.

    Ministria e Mbrojtjes e Rusisë e akuzoi SHBA-në duke pretenduar se specialistët amerikanë i kishin bërë koordinatat për fluturimin e raketave bazuar në të dhënat e mbledhura nga satelitët amerikanë.

    “Përgjegjësinë për sulmin e qëllimshëm raketor në civilët e Sevastopolit e mban, mbi të gjitha, Uashingtoni, i cili e furnizon Ukrainën me këto armë, dhe regjimi i Kievit, nga territori i të cilit u krye ky sulm”, tha Ministria ruse.

    Ajo u zotua se do t’i përgjigjet sulmit, por nuk dha hollësi.

    As Shtetet e Bashkuara, e as Ukraina, nuk e kanë komentuar sulmin, i cili ndodhi në një kohë kur Rusia po vazhdon ta bombardojë pareshtur infrastrukturën energjetike të Ukrainës dhe po kryen sulme në verilindje të qytetit ukrainas Harkiv, në afërsi të kufirit me Rusinë.

    Blogerët e ushtrisë ruse e kritikuan ashpër Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë dhe autoritetet uzurpuese në Krime pas sulmit raketor afër Sevastopolit, sipas Institutit për Studimin e Luftës (ISW)./Radio Evropa e Lirë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!