×
  • Lajme
  • Lajme / Sekretari i NATO's

    Rutte: Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për Banjskën

    Reporteri
    11 Mars 2025 | 20:10
    Foto: Adriatik Jakupi, Reporteri

    NATO është e përkushtuar ndaj Kosovës dhe fakti që jam këtu e dëshmon këtë më së miri. Këtë mesazh e dha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

    “Së fundmi ne kemi shtuar praninë e trupave të KFOR-it në Kosovë, kemi katërfishuar praninë e ushtarëve tanë në veri, kemi trefishuar praninë fizike të KFOR-it në veri dhe kjo është dëshmi se KFOR-i dëshiron të jetë prezantues i stabilitetit, jo vetëm në Kosovë, por edhe ne rajon”, tha Rutte për RTK-në.

    Ai thotë se e kupton ambicien e Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO, por fillimisht, sipas tij, duhet të adresohen disa çështje, sikurse vendet anëtare të Aleancës që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

    I pyetur se si i sheh shqetësimet e liderëve kosovarë, të cilët Serbinë e konsiderojnë rrezik të përhershëm në raport me Kosovën dhe stabilitetin në vend dhe rajon, Rutte ritheksoi se ai është i përkushtuar në të qenit neutral, por ka përmendur nevojën që Serbia të japë përgjegjësi për atë që ka ndodhur në 2023-ën. Ai thotë se i ka përcjellë mesazhet e tij si te liderët e Kosovës, ashtu edhe ata serbë, se duhet të ecin përpara në ndërtimin e raporteve të mira ndërfqinjësore.

    “Do të ishte mirë që dialogu të rifillonte sërish dhe sigurisht Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për atë që ndodhi në 2023-ën, por gjithashtu është e rëndësishme për Kosovën që të përmbahet nga veprimet e njëanshme. Ndërtimi i mirëbesimit është i rëndësishëm dhe kjo do të ishte një bazë e mirë për diskutime të vazhdueshme, gjithmonë me ndërmjetësimin e zyrtarëve të mirë që janë përcaktuar për dialogun Kosovë-Serbi”, ka shtuar Rutte.

    I pyetur nëse paralajmërimi se SHBA mund të zvogëlojë praninë e trupave ne Evropë, mund të çojë në tërheqjen e trupave amerikane të KFOR-it nga Kosova, Rutte tha se SHBA është shumë e përkushtuar ndaj Ballkanit Perëndimor dhe ata duan të sigurohen se ky rajon të jetë stabil.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!