Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka bërë thirrje që partia të vazhdojë të jetë në opozitë ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, pavarësisht se kush do ta udhëheqë LDK-në pas Kuvendit të jashtëzakonshëm që mbahet sot.
LDK-ja do të mblidhet nga ora 18:00, ku 355 delegatë do të vendosin me votë nëse Lumir Abdixhiku do ta vazhdojë mandatin si kryetar apo do të shkarkohet, pas rezultatit në zgjedhjet e 7 qershorit.
Përmes një postimi në Facebook, Sadiku u bëri thirrje delegatëve të votojnë sipas bindjeve dhe vizionit që besojnë se është më i miri për partinë, duke theksuar se ai do ta respektojë çdo vendim që del nga procesi.
“Unë do ta respektoj dhe do ta përkrah çdo lidership që del nga ky Kuvend, sepse ai do të jetë rezultat i një procesi demokratik. Por kam një kërkesë të qartë për secilin që do ta marrë përgjegjësinë e udhëheqjes së partisë: LDK duhet të jetë një opozitë e zëshme, e guximshme dhe proaktive ndaj pushtetit të Vetëvendosjes. Jo për arsye personale, as për interesa partiake, por sepse sinqerisht besoj se kjo qeverisje ka qenë e dëmshme për shtetin tonë”, ka shkruar Sadiku.
Në reagimin e tij, ai ka renditur 14 fusha në të cilat, sipas tij, qeverisja e Vetëvendosjes ka dështuar.
Sadiku ka theksuar se LDK-ja duhet të bashkohet për t’u ofruar qytetarëve një alternativë më të mirë dhe për ta sfiduar qeverisjen aktuale.
“Ndoshta strategjia është bashkëqeverisja, për t’u treguar qytetarëve se ne dimë dhe mundemi më mirë. Ndoshta strategjia është një opozitarizëm shumë më aktiv, më i zëshëm dhe më afër qytetarëve. Ndoshta rruga është krejt tjetër. Por, pavarësisht strategjisë, së pari duhet ta pranojmë diagnozën. Duhet ta kuptojmë se ku qëndron problemi i Kosovës sot. Jo sepse e them unë apo dikush tjetër, por sepse faktet duhet të jenë themeli mbi të cilin ndërtojmë vizionin tonë për të ardhmen”, ka përfunduar ai.
Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së është thirrur pas kërkesës së një grupi delegatësh për shkarkimin e Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit, pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit.