Zëvendësministër në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu, thotë se qeveria do të formohet me kryeministër Albin Kurtin.
Ai ka thënë se partia e Kurtit do t`i ketë numrat e nevojshëm kur të vije koha.
“Numrat i kemi, qeveria do të bëhet, Albin Kurti do të jetë kryeministri i Kosovës, Kuvendi do të funksionalizohet kur t’i vihet momenti dhe kësisoj do të fillojmë me Qeverinë Kurti III, të përgatitur si asnjëherë më parë”, deklaroi ai.
Zëvendësministër në detyrë i Drejtësisë tha se LVV-ja i ka numrat pasi që është në komunikim me partë tjera, si dhe me disa individë.
“I kemi numrat, sepse jemi në komunikim edhe me partitë tjera, që janë aktuale. Janë konsultat qoftë me subjekte politike, qoftë me individ, pra automatikisht po e them në këtë emision që numrat do t’i kemi kur të vie koha, pas konstituimit të Kuvendit fillojnë afatet kushtetuese. Ne konsultat joformalisht i kemi nisur edhe më herët, mirëpo ne ato zyrtare ia fillojmë automatikisht kur nis thirrja e seancave”, tha ai në Tëvë1.
Sallahu përsëriti që LVV-ja do të arrijë t’i sigurojë 61 vota.
“Numrat dalin si pasojë e negociatave. Këtu vendos kryesia e LVV-së me kryeministrit, negociojnë me njerëz të caktuar dhe kështu vijmë deri te formimi i qeverisë. Për t’ia hequr juve dhe opinionit publik marakun është që qeveria Kurti do të bëhet me 61 vota. S’mund të them që do të ketë lëvizje të deputetëve nga partitë e caktuara, por mund të them që do të ketë 61 numra për ta formuar qeverinë, ku do të përmbushet ligji për formim. S’mund të them që a do të bëhem me subjekte të caktuar apo me deputet, por ajo që mund të them është si plotësim i kriterit kushtetues LVV-ja do ta bëjë qeverinë me 61 numra e më shumë”, deklaroi ai.