×
  • Lajme
  • Lajme

    Sami Lushtaku: Do doja që ditën e çlirimit të Skenderajt ta prisja me Adem Jasharin e të tjerët

    Reporteri
    18 Qershor 2021 | 17:35

    Ish-komandanti i UÇK-së, Sami Lushtaku është rrëfyer për Ditën e Çlirimit të Skenderajt, 21 vite më parë.


    Ai në emisionin “Frontal” në T7, tha se për të dhe për bashkëluftëtarët e tij, kjo ditë ka qenë mjaft emocionuese.

    Kjo pasi Lushtaku tha se nuk e kanë pritur asnjëherë se do ta përjetonin të gjallë Ditën e Çlirimit.

    “Me të vërtetë ka qenë një ditë shumë emocionuese dhe e rëndë për bashkëluftëtarët, sepse asnjëherë nuk e kishim menduar se do ta kemi fatin qe do të përjetonin Ditën e Çlirimit. Ka qenë emocion shumë i madh”, ka thënë Lushtaku.

    Ndër të tjera, Lushtaku deklaroi se gjatë kohës sa ai ishte ushtarë vdekjen e ka menduar me mijëra herë, por lirinë jo.

    “Vdekjen e kam menduar 100 mijë herë por nuk e kam pritur asnjëherë se do ta përjetojë Ditën e Çlirimit. Unë e kam pasur fatin që të jem gjallë dhe t’i urojë bashkëluftëtarët e mi dhe gjithë qytetarët për Ditën e Çlirimit”, tha më tutje ai.

    E, 21 vjetorin e çlirimit të Skenderajt, Lushtaku tha se do të donte që ta priste me Adem Jasharin, Ilaz Kodrën e bashkëluftëtarët e tjerë që ranë në luftë.

    “Realisht dëshira më e madhe kish qenë me e prit me Adem Jasharin, Ilaz Kodrën dhe shumë bashkëluftëtar të tjerë. Ka qenë ëndërr e jona që ta sjellim lirinë. Ne e kemi besuar gjithmonë lirinë e Kosovës. Kemi besuar fuqishëm në UÇK”, deklaroi Lushtaku, në T7.

    Lushtaku foli edhe për mbajtjen e ish-komandantëve të UÇK-së, në paraburgim në Hagë.
    “Vërtetë kjo Ditë e Çlirimit ka qenë hala me e lënduar pa bashkëluftëtarët e mi. Ata që kanë vdekur e dimë që kanë rënë për Kosovën. Por nuk e kemi besuar asnjëherë që bashkëluftëtarët e mi do të përballen me akuza për krime lufte”, tha më tutje Lushtaku.

    Në ndërkohë ai rikonfirmoi kandidimin e tij për kryetar të Skenderajt.

    “Unë kam vendosur që të kandidojë për kryetar të komunës dhe besoj që qytetarët do të më japin këtë mundësi, që vitin e ardhshëm ta presim bashkë Ditën e Çlirimit, me mua si kryetar”, ka thënë Lushtaku.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!