Serbia duhet të vendosë në anën e kujt dëshiron të jetë, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Layen.
“Ne duam Serbinë me ne, por për këtë na duhen prova të qarta se vendi ndan vlerat tona, si sundimi i ligjit dhe demokracia, dhe se dënon pushtimin rus”, tha Von der Layen në një intervistë për të përditshmen austriake Wiener Zeitung, transmeton Reporteri.net.
Ajo nënvizoi se angazhimi në politikën e jashtme të vendeve kandidate është shumë i rëndësishëm.
E pyetur se sa është i lidhur Ballkani Perëndimor me statusin e Ukrainës dhe çfarë mund t’u ofrohet atyre vendeve, Von der Layen theksoi se pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë në rrugën evropiane larg nga Ukraina.
“Shpresoj se do të gjejmë një zgjidhje, se më në fund do të jemi në gjendje të përmbushim premtimin tonë dhe të fillojmë negociatat e anëtarësimit. Bosnja, për shembull, mund të hyjë menjëherë në negociatat e pranimit kur të përmbushë 14 pikat kryesore. Ka pasur shumë përparim dhe kjo duhet pranuar,” tha ajo.
Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë, e kanë harmonizuar politikën e sanksioneve kundër Rusisë me Bashkimin Evropian.
Serbia është i vetmi vend kandidat për anëtarësim në BE që nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë. /Reporteri.net
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.