Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka takuar sot në Prishtinë emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, raporton gazeta online Reporteri.net.
Përmes një komunikate për media, kanë bërë të ditur se gjatë takimit kanë diskutuar rreth bashkëpunimit rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit, derisa Kurti ka theksuar se është me rëndësi të fokusohet në zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të këtij procesi.
Në pamjet e shpërndara nga Kryeministria, shihet se takimi Kurti-Sarrazin ishte një drekë punës mes emisarit gjerman dhe kryeministrit. I pari u shoqërua nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.
Sipas njoftimit, kryeministri në takim me Sarrazinin ka kërkuar që edhe Bosnjë-Hercegovina të ratifikojë marrëveshjen për lëvizje të lirë më ID, kështu që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza në Bosnjë.
“Ai nënvizoi rëndësinë e fokusimit në zbatimin e marrëveshjeve që janë nënshkruar. Në këtë drejtim Kryeministri theksoi se pas vendimit të Kosovës që qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës të mund të udhëtojnë me letërnjoftime në Kosovë nga 1 janari i vitit të ardhshëm, është e rëndësishme që të punohet që Bosnja dhe Hercegovina të ratifikojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me ID ashtu që të mundësohet zbatimi i plotë i marrëveshjes. Në lidhje me kohën e pritjes në pikën kufitare në Merdar, kryeministri theksoi rëndësinë e respektimit të procedurave të lajmëruara me rastin e ndryshimit të masës së sigurisë deri në operacionalizimin e skanerëve me rreze X, si dhe foli për mobilizimin që kanë bërë institucionet e Republikës së Kosovës në këtë drejtim”, thuhet nga Zyra e Kryeministrit.
Në lidhje me kohën e pritjes në pikën kufitare në Merdarë, Kurti ka theksuar rëndësinë e respektimit të procedurave të lajmëruara me rastin e ndryshimit të masës së sigurisë deri në operacionalizimin e skanerëve me rreze X, si dhe foli për mobilizimin që kanë bërë institucionet e Republikës së Kosovës në këtë drejtim.
Në përfundim, Kurti e falënderoi Përfaqësuesin Special për angazhimin dhe kontributin e tij në avancimin e bashkëpunimit rajonal. /Reporteri.net/.