Ditëve të fundit qytete e fshatra të Kosovës janë përmbytur nga reshjet e mëdha të shiut, ku janë prekur edhe disa familje.
Një prej qyteteve që u përmbyt më së shumti është Dragashi, konkretisht fshati Kuk ku u shkaktuan dëmtime të mëdha në infrastrukturën rrugore, por fatmirësisht nuk ka pasur viktima e as të lënduar.
Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të krijojë një fondi emergjent, i cili do të menaxhohej nga institucionet lokale.
“Është koha e fundit që Qeveria duhet të iu mundësoj komunave themelimin e një vije buxhetore për emergjenca komunale sepse komunat menjëherë pas situatave të tilla mund t’i ndihmojnë qytetarët e tyre. Po shihet se për çdo vit nëpër komunat tona po kemi vërshime nga të reshurat atmosferike dhe si pasojë po kemi dëme të materiale. Edhe këtë herë kërkojmë që komunave t’iu mundësohet planifikimi buxhetor, të kenë një vijë buxhetore për raste të tilla buxhetore emergjente. Pra, Qeveria duhet t’i mundësoj komunave krijimin e fondit emergjent komunal”, ka thënë Ibrahimi për Gazetën Online Reporteri.net.
Ai thotë tutje se nëse krijohet një fond i tillë, komunat më shpejt do të mund të përgjigjeshin në nevojat e qytetarëve të prekur nga vërshimet.
“Në bazë të legjislacionit në fuqi, komunat nuk kanë shumë kompetenca sa i përket përkrahjes së qytetarëve të prekur nga vërshimet përveç t’i aktivizojnë komisionet të cilët bëjnë vlerësimin e dëmeve. Komunat sa herë ka qenë e nevojshme i kanë aktivizuar këto komisione të cilat e bëjnë evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga reshjet. Pas evidentimit të dëmeve dhe marjes së vendimeve në kuvendet komunale atëherë këto lista barten në nivel qendror e cila për shkak të procedurave burokratike dhe të stërzgjatura, po vonon shumë në kompenzimin e dëmeve dhe përkrahja e shtetit po është shumë e vonshme”, ka deklaruar Ibrahimi për Reporteri.net.
Ai ka bërë të ditur se pas vërshimeve në Komunën e Skenderajt dhe disa komuna tjera, në janar të vitit 2023, Asociacioni i Komunave të Kosovës kishte kërkuar nga Qeveria e Kosovës të ngre një fond të tillë, por që nuk kanë marrë përgjigje nga Qeveria.
“Deri më tani qeveria nuk ka kthyer asnjë përgjigje”, ka thënë ai.
Komuna e Dragashit formon Shtabin e Emergjencave
Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka mbledhur të premten Qeverinë Komunale në një takim urgjent për të diskutuar lidhur me masat e ndërmarra pas situatës së fundit të krijuar nga vërshimet.
“Në këtë takim u mor vendim që të formohet Shtabi i Emergjencave si dhe Komisioni Komunal për Vlerësimin e Dëmeve të shkaktuara nga vërshimet, për ekonomitë familjare, bizneset, sipërfaqet bujqësore dhe infrastrukturën publike.
Gjithashtu, u bë thirrje që bashkë me qytetarët dhe bizneset private të cilat kanë pajisje teknike dhe mjete motorike, të vazhdohet me sanimin e dëmeve në terren.
Apelohet tek të gjithë qytetarët e fshatrave të prekur nga vërshimet, sidomos banorët e fshatit Kuk dhe ato vendbanime ku vërshimet kanë dëmtuar në masë të madhe rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, që të mos përdoret uji për pije (ose të vlohet uji në rast të përdorimit për pije), derisa organet kompetente të bëjnë analizat dhe të vlerësojnë nivelin e ndotjes së ujit.
Po ashtu, u bëhet thirrje të gjithë personave që kanë pësuar dëme, para se të fillojnë me sanimin e gjendjes, të bëjnë fotografi dhe video të cilat do t’u shërbejnë si dëshmi Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve. Qytetarët të cilëve u ka ka depërtuar uji në dhoma, bodrume etj., dhe të cilët nuk kanë mundësi që ta nxjerin ujin jashtë, luten që ta thirrin Shërbimin e Zjarrfikësve për t’u dalë në ndihmë (Tel: 049 773 777)”, thuhet në njoftim.
Për vërshimet në komunën e Dragashit ka folur edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ka thënë se reshjet e shiut kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme edhe të infrastrukturës publike.
“Vërshimet në Komunën e Dragashit dhe fshatin Kuk nga reshjet e mëdha të shiut kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme edhe të infrastrukturës publike, për çka nevojitet ndërhyrje me prioritet. Megjithëkëtë, fatmirësisht nuk ka as të lënduar e as viktima. Me Komisionin vlerësues i cili po inspekton e analizon masën e dëmeve, po shohim se çfarë mund të riparojmë e rindërtojmë dhe të kontribuojmë nga niveli qendror. Falënderoj institucionet e shtetit për angazhimin e deritanishëm dhe Kryetarin e Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladinin për mikpritjen e tij sot dhe bashkëpunimin me ministrin Elbert Krasniqi. Qeveria është pranë komunës dhe qytetarëve, për të kaluar bashkë, sa më shpejt e sa më lehtë këtë situatë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
/Reporteri.net/.