×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme

    Seanca e thirrur për presidentin, debat mes Haxhiut dhe opozitës në Kuvend

    Reporteri
    27 Prill 2026 | 15:23

    Në Kuvendin e Kosovës është debatuar mes pozitës dhe opozitës lidhur me seancën e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, e cila është thirrur sot për në ora 17:00.

    Albulena Haxhiu ka bërë thirrje që deputetët të marrin pjesë në seancën që fillon në ora 17:00, duke theksuar nevojën për arritjen e konsensusit për zgjedhjen e presidentit.

    “Është e rëndësishme që të jeni të pranishëm në seancë dhe deri atëherë të shpresojmë që të kemi emra dhe konsensus për president”, ka thënë Haxhiu.

    Ndërkohë, deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, ka thënë se mungesa e marrëveshjes politike po e dërgon vendin në një situatë të re politike.

    “Unë nuk e di ‘zanzibarin’, por e di që Kosova nuk ka pasur kurrë krizë të tillë për zgjedhjen e presidentit. Hera e parë që vendi po shkon në zgjedhje si rezultat i mungesës së konsensusit. Është në kohën kur VV i ka 51%. Dejona Mihali me Albin Kurtin po e krijojnë në vazhdimësi krizën politike”, ka thënë Tahiri.

    Haxhiu i tha Tahirit se këtë debat mund ta vazhdojnë në seancën e orës 17:00, ndërsa shtoi se tani “është më e veshtirë se s’ka më pazare, tendera”.

    “E vazhdojmë këtë debat në ora 17:00. Natyrisht tash është më e veshtirë se s’ka më pazare, tendera, ambasada, e ju e dini më mirë se unë. E dini më mirë se unë mos më shtini me i përmend”, shtoi Haxhiu.

    Nga ana tjetër, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka kundërshtuar thirrjen e seancës së jashtëzakonshme, duke deklaruar se një situatë e tillë nuk ekziston.

    “Keni shpikur një ngjarje që nuk ekziston, për të thirrur seancë të jashtëzakonshme për presidentin”, ka thënë Kadrijaj.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!