×
  • Lajme
  • Lajme

    Sekreti i kundërligjshëm i shtetit, pse nuk publikoheshin shpenzimet për të akuzuarit e Speciales?

    Reporteri
    30 Prill 2021 | 18:59

    Deri këtë muaj, në Kosovë ka qenë rreptësisht e ndaluar të publikohen shifrat specifike të parave që harxhohen nga buxheti i vendit për të akuzuarit e Speciales. Dënimi deri në dhjetë vjet burgim ka qenë paralajmërimi për këdo që mund t’i shkonte mendja të nxirrte këso të dhëna. Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) e konsideron kundërkushtetuese dhe kundërligjore këtë ndalesë të deritashme.


    Shteti nuk i konsideron më sekret të dhënat lidhur me paratë që Kosova i shpenzon për ta paguar secilin prej avokatëve të tetë ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjashtë prej të cilëve Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë i akuzon për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Njoftimin e bëri të premten e javës që shkoi, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Në këto dokumente, të cilat mbahen në divizionin që është themeluar posaçërisht për këtë çështje, ajo tha se tani mund të ketë qasje kusho që dëshiron t’i shoh.

    “Ata persona marrin buxhet në përputhje me legjislacionin në fuqi. Nuk ka se pse ta fshehim se sa buxhet është ndarë për cilin person”, tha Haxhiu.

    Sipas ish-ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, shumat specifike për secilin prej të akuzuarve nuk duhet të bëheshin të ditura, pasi konsideron se ky veprim e rrezikon mbrojtjen e të akuzuarve.

    Por hulumtuesi i lartë ligjor në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Gzim Shala, i ka thënë Gazetës Express se Qeveria e ka obligim që t’i publikojë këto shpenzime.

    “Publikimi i këtyre shpenzimeve është obligim kushtetues dhe ligjor. Në këtë mënyrë, kufizimi i të dhënave për publikun lidhur me shpenzimet për mbrojtësit e Gjykatës Speciale ka qenë kufizim kundërkushtetues dhe kundërligjor”, tha Shala.

    Është mbajtja serkrete e këtyre të dhënave, sipas IKD-së, ajo që i rrezikon të akuzuarit dhe mund të shpie në trajtim selektiv të tyre.

    “Siç kemi theksuar edhe në fund të vitit të kaluar, është pikërisht mbajtja sekrete e këtyre të dhënave ajo që rrezikon mbrojtjen e të akuzuarve, pasi në këtë mënyrë, mund të ketë trajtim selektiv të personave të akuzuar nga Gjykata Speciale. Për më tepër, IKD me anë të një letre paraprakisht i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë që të publikojë këto të dhëna, në mënyrë që të mbrohet kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, si dhe të ndalohet mundësia e trajtimit selektiv të personave të akuzuar nga Gjykata Speciale”, theksoi Shala.

    Ministria e Drejtësisë deri tani i ka aprovuar disa kërkesa për mbulimin e shpenzimeve për mbrojtje juridike dhe mbështetje financiare të personave të akuzuar në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara në Hagë. Këtë muaj, komisioni që merret me këto çështje brenda MD-së i ka aprovuar kërkesat për katër avokatë mbrojtës të të akuzuarve duke kryer pagesat ndaj tyre në vlerë prej 464,600.00 euro, prej 20 milionë eurove sa është buxheti total për këtë kategori.

    Deri në fund, të gjitha shpenzimet që lidhen me procesin të cilit duhet t’u nënshtrohen ish-pjesëtarët e UÇK-së në Hagë, ua heq shteti të cilin shumë prej tyre e udhëhoqën për pjesën më të madhe të periudhës pas çlirimit.

    Por më shumë se shumën totale të këtyre shpenzimeve, sipas ish-ministrit Selim Selimi populi nuk duhet të dijë deri kur të jetë shpallur një aktgjykim për të akuzuarit.

    “Populli ka nevojë ta dijë se sa para po i japin për mbrojtjen. Atë e kam bërë. Si ministër, kam thënë ‘500 mijë euro janë ndarë për këto kërkesa’. Por është gabim të tregohet kush sa ka marrë”, tha Selimi të premten e kaluar në RTV Dukagjini.

    Sipas tij, në këto pagesa është strategjia e mbrojtjes së të akuzuarve dhe posa ato të bëhen publike, tha se rrezikohet mbrojtja juridike e ish-pjesëtarëve të UÇK-së që po përballen me drejtësinë.

    Si u ndalua publikimi i shpenzimeve për secilin prej të akuzuarve të Speciales

    Në dhjetor, divizioni brenda MD-së që merret me këto procedura, kishte refuzuar që t’ia jepte Gazetës të dhënat për pagesat ndaj secilit prej atyre që po mbahen në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë.

    Këtë ua kishte ndaluar ish-kryeministri Ramush Haradinaj me një vendim të 31 janarit të vitit 2019.

    “Sa i përket kërkesës suaj, bazuar në Ligjin nr. 05/l-054 për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar, të dyshuar ose të përfshirë në çfarëdo forme në proceset gjyqësore pranë dhomave të specializuara, ri-theksojmë se nuk mund të ofrojmë qasje në dokumente shtesë, pasi që këto dokumente janë të klasifikuara në bazë të Vendimit nr. 2192/2019, të datës 31 janar 2019 të Kryeministrit, përkitazi me Ligjin nr. 03/L178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë”, thuhej në përgjigjjen e këtij divizioni.

    Vendimi me të cilin këto dokumente janë cilësuar si “sekret” nuk gjendej në web-faqen e Zyrës së Kryeministrit, ku ishin dokumentet tjera të vendimeve të kryeministrit dhe Qeverisë. Këtë vendim, Express e kishte siguruar vetëm pasi pati kërkuar qasje në dokumentet e ZKM-në.

    “Informacionet që ndërlidhen me Dhomat e Specialisuara dhe Zyrën e Proktuorit të Specializuar janë informacione të nivelit “SEKRET” dhe mbrohen nga qasja e personave të paautorizuar”, thuhej në vendimin që mban nënshkrimin e Ramush Haradinajt.

    Sipas arsyetimit të ish-kryeministrit në vendim, vlerësohej se publikimi i dokumenteve shtesë i dëmton interesat e sigurisë së Kosovës.

    “Marrë parasysh se procesi që nderlidhet me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i cili përcaktohet me Ligjin Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën Prokurorit të Specializuar dhe Ligjin nr.05/L-054 për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të Akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë dhomave të specializuara, si dhe frymën e këtij Ligji, është vlerësuar se hapja e paautorizuar e informacioneve të tilla do t’i dëmtonte seriozisht interesat e sigurisë së Kosovës, si dhe informacionet e tilla kanë të bëjnë ndër të tjera edhe me marrëdheniet me jashtë të Republilkës së Kosoves, si dhe integritetin e institucioneve të Republikes së Kosovës u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi”, thuhej në arsyetimin e këtij vendimi.

    Deri në dhjetë vjet burgim për ata që do t’i publikonin këto informacione

    Sipas Ligjit për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë, ata që publikojnë dokumente për të akuzuarit e Speciales që Haradinaj i ka konsideruar si “sekret”, dënohen me nga tri deri në dhjetë vjet burgim.

    I njëjti dënim parashihet edhe për bartësit e informacioneve të klasifikuara si “sekret” që në cilëndo formë nuk i mbrojnë këto dokumente.

    “Personi i cili publikon pa autorizim informacionin e klasifikuar sipas këtij ligji si “SEKRET”, dhe cilido bartës i autorizuar i informacionit të tillë të klasifikuar nuk e mbron informacionin e klasifikuar siç kërkohet me këtë ligj, kryen vepër penale dhe dënohet me burgim prej tri deri dhjetë vite”, thuhet në pikën 2 të nenit 50 të këtij ligji.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar: Ky divizion dirigjohej nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli

    Keyeprokurori i ZPS-së, Jack Smith, i kishte kushtuar vëmendje të veçantë Divizionit për Koordinimin e Procesit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara në kërkesën që ia kishte dërguar gjykatësit të Speciales, Nicolas Guillou për ta aprovuar lëshimin e urdhërarrestit për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin në fillim të nëntorit të vitit që shkoi.

    Smith e përshkruante këtë divizion si tërësisht në shërbim të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, ndërsa konsideronte se paratë që dilnin nga aty nuk jepeshin sipas kritereve.

    “Është e dukshme se paratë e paguara nga Divizioni nuk jepen në përputhje me kriteret e qëndrueshme dhe ka pak lidhje me shpenzimet legjitime të bëra”, thuhej ndër tjerash në pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

    Vendimet e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e disa mjeteve paraprakisht, prokurori Smith i konsideronte si pagesa korruptive. Ai pretendonte se Thaçi dhe Veseli kishin tentuar të ndikonin në dëshmitarë duke paguar njerëz dhe se sipas tij, qëllimet e tyre kanë tentuar t’i arrijnë përmes ministrit të atëhershëm të Drejtësisë, Abelard Tahirit, i cili e kishte emëruar Driton Lajçin udhëheqës të këtij divizioni. Zyra e Prokurorit të Specilziuar thotë se Tahiri dhe Lajçi ishin njerëz besnikë të Thaçit dhe Veselit.

    “Kohët e fundit, zyrtarët qeveritarë besnikë të THAÇI dhe VESELI kanë kryesuar mbi pagesat korruptive të Qeverisë për dëshmitarët e mundshëm të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ministri (i atëhershëm) i Drejtësisë, Abelard TAHIRI, emëroi Driton LAJÇIN në krye të një Divizioni për Koordinimin e procesit të mbrojtjes ligjore dhe mbështetjes financiare për të Akuzuarit Potencialë në Gjyqe para Dhomave të Specializuara brenda Ministrisë së Drejtësisë. Abelard TAHIRI ka punuar gjerësisht me THAÇIN në role të shumëfishta, [REDAKTUAR]. [REDAKTUAR]. Direkt para marrjes së rolit si drejtues i Divizionit, LAJÇI ka punuar si këshilltar i VESELIT dhe e ka njohur THAÇIN për mbi 25 vjet, pasi ka qenë anëtar i këshillit nismëtar të PDK-së THAÇIT më 1999”, thuhej në kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.


    Sipas prokurorit të specializuar, Jack Smith, këto pagesa nuk kishte nevojë të bëheshin.

    “Sipas LAJÇIT, Divizioni përpunoi kërkesat për pagesat e pretenduara për ‘Çështjet gjyqësore dhe shpenzimet e udhëtimit’ për të dyshuarit që paraqiten para Zyrës së Prokurorit të Specializuar, edhe pse Dhomat e Specializuara tashmë i rimbursojnë të intervistuarit për shpenzime”, thuhet ndër tjerash në pretendimet e ZPS-së.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!