Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), së bashku me përfaqësues të tjerë të sektorit privat, i është drejtuar me një shkresë zyrtare Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me zhvillimet e fundit globale që parashikojnë rritje të çmimit të energjisë elektrike.
Në këtë shkresë, OEK kërkon që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë masa konkrete për të mbështetur sektorin privat, duke ndjekur shembullin e qeverive evropiane të cilat kanë ofruar subvencione dhe mbështetje direkte për bizneset e tyre në përballje me krizën energjetike.
Përmes kërkesës drejtuar Kryeministrit, OEK propozon që Qeveria të subvencionojë sektorin privat dhe të kërkojë nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) anulimin e vendimit për daljen në tregun e lirë të energjisë. Sipas OEK, qëllimi i kësaj kërkese është mbrojtja e prodhimit vendor, bizneseve, qytetarëve dhe ekonomisë së vendit.
Në bashkëngjitje me shkresën, OEK ka përfshirë edhe një material informativ mbi masat e marra nga qeveritë evropiane për të mbështetur sektorin privat në kohë të krizave energjetike./Reporteri.net/