Rexhep Selimi në fjalën e tij në Gjykatën Speciale në Hagë beson se në fund të procesit ai do të shpallet i pafajshëm, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tha se së bashku do të nxjerrin të vërtetën, e që sipas tij, ai bashkë me ish-krerët tjerë do të kthehen në Kosovë të lirë.
“Nuk kam frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia duhet të kemi të gjithë. Qëndroj përballë jush, se në fund të procesit do të vendosni në pafajësinë time. Në këto çaste kur ne po flasim, e po na shohin bashkëkombësit, kam shumë besimin se të gjithë së bashku do të nxjerrim te vërtetën, dhe unë bashkë me të tjerët, do të kthehemi në vendin tonë të lirë për të cilin luftuam dhe punuam gjatë gjithë jetës tonë”, tha ai në Hagë.
Gjatë fjalimit të tij, Selimi tha se ani pse donin të organizonin ushtri, nuk ia arritën një gjë të tillë, e ani pse donin të mundnin Serbinë, ai theksoi se ajo gjë u arrit vetëm me ndihmën e shteteve nga jashtë.
“Donim të organizonim ushtri, por nuk ia dolëm, s’ia arritëm. S’kishim njerëz e armë. Donim ta mundnim Serbinë, por nuk ja arritëm pa ndihmën e shteteve nga jashtë. Ne nuk kishim kazerma, por kishim shtëpitë e familjeve tona dhe tjera të cilët na strehonin. Nuk kishim akademi ushtarake. Nuk kishim uniforma, i sajonim, disa i blinim, e disa i ngjyrosnim që të dukeshim si ushtarë”, tha Selimi në Hagë./Reporteri.net/