×
  • Lajme
  • Lajme

    Selimi thotë se akuzat e Haxhiut janë me motive politike

    Reporteri
    23 Prill 2021 | 13:24

    Ish-ministri i Drejtësisë në Qeverinë Hoti, Selim Selimi, ka reaguar pas akuzave të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe zëvendësministrit Blerim Sallahu, të cilët thanë se ka pasur keqpërdorime në kohën sa ka udhëhequr Selimi me këtë dikaster.


    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Selimi ka thënë se akuzat drejt tij janë me motive politike, shkruan Reporteri.net.

    Sipas Selimit, rasti i tokës së Shërbimit Korrektues të Kosovës është një process që ka filluar para mandatit të tij si ministër.

    “Ftoj ministren që në bazë të Ligjit për qasje në dokumente publike ta publikojë gjithë dosjen. Nëse nuk e bën këtë ministrja, do ta kërkoj zyrtarisht dosjen dhe do ta publikoj. Njëkohësisht një kopje do ta dorëzoj personalisht në Prokurori. Dosja e ankandit shumë vjeçar e konfirmon këtë gjë.”, ka shkruar ai në Facebook.

    Ndryshe, ministrja Haxhiu ka paraqitur sot disa fakte me të cilat pretendon se drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës ka bërë shkelje ligjore, duke lidhur kundërligjshëm kontrata.

    Ndërkohë zëvendësministri Blerim Sallahu, në një konferencë për media ka dhënë më shumë detaje rreth shkeljeve që ka evidentuar Ministria Drejtësisë lidhur me drejtorin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi.

    Ai tha se rasti ka të bëjë me dhënien në shfrytëzim të një prone të Ministrisë së Drejtësisë në mënyrë të kundërligjshme, në një zonë urbane në hyrje të qytetit të Vushtrrisë.

    Sipas tij akterët e përfshirë në këtë kontratë kanë dëmtuar buxhetin e shtetit duke i dhënë në shfrytëzim një kompanie private në vlerë prej 2100 euro, teksa e njëjta në vlerën e tregut kushton 50-100 mijë euro.

    Ky është postimi i plotë i Selimit:

    Sot ministrja e Drejtësisë ka mbajtur një konferencë për shtyp ku ka dhënë një sërë akuzash rreth punës sime në Ministri me motive krejtësisht politike.

    Më lejoni që të ju informoj, që rasti i tokës së ShKK-së është një proces i cili ka filluar para mandatit tim si Ministër. Ministrja Haxhiu e din këtë shumë mirë. Dhënia me qira e tokës ka ndodhur me ankand publik. Paratë shkojnë direkt në Shërbimin Korrektues. Tokën e kemi ruajtur, kemi mbrojtur shërbimin.

    Ftoj ministren që në bazë të Ligjit për qasje në dokumente publike ta publikojë gjithë dosjen. Nëse nuk e bën këtë ministrja, do ta kërkoj zyrtarisht dosjen dhe do ta publikoj. Njëkohësisht një kopje do ta dorëzoj personalisht në Prokurori. Dosja e ankandit shumë vjeçar e konfirmon këtë gjë.

    Gjithashtu me vendimin për deklasifikimin e pagesave për të akuzuarit në Gjykatën Speciale, sot Ministrja ka vendosur që të rrezikojë mbrojtjen e të akuzuarve dhe ta prishë barazinë e armëve, rrjedhimisht duke ndikuar në dobësimin e pozicionit të mbrojtësve të Kosovës.

    Spin doktoratë e VV-së kanë bërë një gabim të madh të diversionit dhe kanë zgjedhur që të fillojnë një betejë të cilën do ta humbin”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!