Po vazhdon seanca e vonshme e Kuvendit të Kosovës, ku deputetët po shprehin pakënaqësitë e tyre në raport me procesin e dialogut me Serbinë, me fokus marrëveshja e fundit e arritur në Bruksel.
Gjatë deklarimit të tij, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, teksa ka komentuar zhvillimet e fundit, tha se nuk i beson kryeministrit Kurti, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Unë personalisht nuk i besoj këtij kryeministri. Pse nuk i besoj këtij kryeministri? Sepse më datën 2 shkurt, ky kryeministër na ka lexuar gjashtë kushte. Kushti i parë ka thënë: Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Kushti i dytë është se nuk mund të jetë monoetnik dhe duhet ta ndërroj emrin. Nën 3 duhe të ketë reciprocitet të të drejtave, çfarëdo të drejta për serbet në Kosovë duhet t’i kenë edhe shqiptarët në Serbi. Duhet të shuhen strukturat paralele dhe të dorëzohen armët dhe Vuçiq duhet të tërheq letrat mosnjohëse”, tha Selmanaj në fjalimin e tij në kuvend.
Në fund të adresimit të tij, Selmanaj iu drejtua kryeministrit me një deklaratë të tij të kahmotshme për Demarkacionin.
“Zajednica, zajednica, tap kryeministër e lëshoj bajrakun”, tha Selmanaj, referuar thënies së Kurtit ndaj Haradinajt, “Çakorri, Zhlepi, Zhlepi, Çakorri, tap karrika e lëshoj bajrakun”. /Reporteri.net/.