Me replika të ashpra mes dy parterëve qeverisës po vazhdon ende seanca e Kuvendit, ku pikë e rendit të ditës është mocioni për rrëzimin e qeverisë.
Fjalimi i zëvendëskryeministrit, Haki Abazi ka ngjallur reagime të ashpra tek deputetët e LDK-së, Driton Selmanaj e Arben Gashi, shkruan Reporteri.net.
Abazi ka akuzuar LDK-në se ka bërë kompromise për rrëzimin e Qeverisë që sipas tij po tentohet të shantazhohet për shkak të punës së mirë.
“Paragjykimet e tua të pafundme, aludimet e llojit të PDK-së që nga dita e parë nuk të shkon ty e as partisë. Mbahu për argumentin e faktin. Duhet ta shikosh popullin në sy që sot është duke u përballë me një gjendje të rrezikshme. Çështja e Amerikës nuk analizohet për konsum politik. Lexoje shkrimin që ta ka bë vajza e Nekibe Kelmendit. Duhet të keni përgjegjësi para atyre që ju kanë votuar sepse atëherë kur është bërë president Thaçi keni marrë kompromise të jashtëzakonshme. Ju e keni prishë koalicionin. Nëse do të isha duke rrejtë, atëherë sigurisht se ju nuk do të kishit reagu ju. Prishjen e qeverisë e keni nisë ju, sepse tentuat ta shantazhoni një qeveri të suksesshme”, ka thënë Abazi duke përmendur herë deputetin Selmanaj e herë Arben Gashin.
Këtyre deklaratave iu është kundërpërgjigjur ashpër deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj i cili ka thënë se Abazi është elementi përçarës brenda Qeverisë.
“Elementi më përçarës brenda Qeverisë jeni ju. Edhe këtë e ke pasë sa ke qenë pjesë e shoqërisë civile. Nuk është shteti lozhë, konspiracion. Zoti Kurti ndjej keqardhje që ke ra pre e këtij personi. Gjuha e tij ndaj disa ministrave është arsyeja pse disa prej tyre nuk kanë ardhë sot këtu. Njerëz si ky nuk i duhen shtetit”, ka thënë Selmanaj. /Reporteri.net