Serbët e Kosovës e quajnë të padrejtë dënimin e kriminelit Ratko Mlladiq me burgim të përjetshëm

Gjykatësit e Kombeve të Bashkuara e mbështetën dënimin me burgim të përjetshëm ndaj ish-shefit ushtarak serb, kriminelit Ratko Mlladiq për gjenocidin në Srebrenicë dhe mizoritë tjera gjatë gjithë luftës së Bosnjës më 1992-95.


Qytetarët e komunitetit boshnjak që jetojnë në Kosovë po e mirëpresin dënimin me burgim të përjetshëm të kriminelit Ratko Mlladiq.

“Pa dënimin e Serbisë për spastrim etnik, invazion dhe spastrim etnik, nuk do të ketë paqe dhe qetësi në Ballkan”, shprehet për RTV Dukagjinin qytetari nga komuniteti boshnjak, Mehmed Ceman.

“Dënimi sipas kritereve njerëzore ka qenë me vend, por sipas kritereve juridike dënimi nuk ishte i drejtë sepse nuk është vërtetuar edhe pika e parë”, deklaroi Rexho Kojiç, përcjell Telegrafi.

Mirëpo qytetarët serb të Kosovës nuk janë të kënaqur me dënimin e Mlladiqit, madje disa prej tyre gjykatën e quajnë kriminale për atë vendim.

“Kriminelë janë vet ata që e kanë dënuar Ratko Mlladiqin e jo vet ai”, deklarohet një i moshuar serb i Kosovës.

“Nuk mendoj se është dashur të veprohet kështu. Ai e ka mbrojtur popullin e vet, prandaj vendimi i gjykatës nuk është i drejtë”, deklaron një e moshuar nga Mitrovica.

“Ata që e kanë dënuar Ratko Mlladiqin janë armiq të popullit serb. Mlladiqi është fajtor aq sa jemi unë e ti”, deklaron një tjetër qytetar serb i Kosovës.