×
  • Lajme
  • -->
    Lajme / Raporti i policisë

    Serbi që iu gjet eksplozivi nën veturë në Leposaviq punon në institucionet e Kosovës, dyshon se u bë për hakmarrje

    Reporteri
    10 Prill 2024 | 9:28

    Policia e Kosovës sot ka dhënë detaje lidhur me rastin në Leposaviq, ku është gjetur një mjet i pashpërthyer nën një veturë.

    Policia në raportin 24 orësh njofton se rasti ka ndodhur saktësisht në Tvergjan të Leposaviqit. Serbi i cili të martën raportoi në Polici se nën veturën e tij në Leposaviq ka gjetur eksploziv, punon në institucionet publike të Kosovës.

    Ai dyshon se kjo është bërë në shenjë hakmarrjeje e frikësimi, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

    Rasti është cilësuar si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

    “Tvergjan, Leposaviq 08-09.04.2024 – 22:00-11:00. Ankuesi mashkull serb kosovar, ka raportuar se në veturën e tij ka vërejtur diçka të dyshimtë që mund të jetë eksploziv. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore si dhe njësia për deminim e PK-së e cila ka bërë de-aktivizimin e eksplozivit. Nga vendi i ngjarjes janë tërhequr: një paketim eksploziv plastik PENT (prodhim serb), një detonator elektrik, një bateri 9 volt, 6 magnete dhe një tel përçues. Ankuesi deklaron se nuk ka problem me askënd, mirëpo ai dyshon se vendosja e eksplozivit është bërë në shenjë hakmarrjeje e frikësimi, pasi ai punon në institucionet e Republikës së Kosovës. Rasti duke u hetuar”, thuhet në raport.

    Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka folur lidhur me rastin në Leposaviq, ku është gjetur një mjet i pashpërthyer nën një veturë. Sveçla të martën ka publikuar një video ku nën një veturë në Leposaviq është vendosur eksplozivi. Sipas ministrit të Brendshëm, Serbia po kthehet tek aktet e dhunës pasi ka humbur betejat politike.

    “Kur Serbia humbet betejat politike, në mungesë argumentesh kthehet te retorika luftnxitëse dhe aktet e dhunës deri në terrorizëm. Tendenca për kontrollin e pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë vazhdon, por çdo ditë me më pak sukses. Zërat kundërshtarë në radhët e komunitetit po shtohen çdo ditë, për të çliruar qytetarët nga gangsterët dhe kuazi politikanët pro Serbi”, ka shkruar ai në Facebook.

    Sveçla ka shkruar se shteti ligjor tash është i shtrirë në të gjithë territorin e Kosovës.

    “Kërcënimeve, djegies së pronave, vendosjes së eksplozivit dhe rrezikimit të jetës por dhe shtypjes së atyre që mendojnë drejtë e ndryshe, i ka kaluar koha. Tani, shteti ligjor është shtrirë në të gjithë territorin e Republikës sonë. Siguri, drejtësi dhe mirëqenie për të gjithë pa dallim dhe llogaridhënie për shkelësit e ligjit”, ka shkruar tutje Sveçla.

    Sveçla për rastin në Leposaviq: Vendosjes së eksplozivit i ka kaluar koha

    Për këtë rast, KFOR ka dhënë detaje me anë të një njoftimi dërguar mediave, duke rikonfimuar largimin e mjetit të pashpërthyer nga vendi i ngjarjes.

    “Një pajisje e dyshimtë është gjetur sot nga Policia e Kosovës e vendosur nën një veturë, në Leposaviq. Pas një kërkese të Policisë së Kosovës, në vendngjarje ka intervenuar me shpejtësi një ekip për asgjësimin e mjeteve shpërthyese (EOD) nga Komanda Rajonale në Lindje e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO. Personeli i Policisë së Kosovës e largoi në mënyrë të sigurt mjetin e pashpërthyer nga vendi, në koordinim të ngushtë me një ekip të KFOR-it të SHBA-së për EOD”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

    KFOR-i deklarohet për eksplozivin që u gjet brenda një veture sot në Leposaviq

    Shpërndaje:
    -->
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!