×
  • Lajme
  • Lajme / Analizë

    Serbia dhe Rusia dëshirojnë të luftojnë me Kosovën, kësaj here me dezinformim

    Reporteri
    25 Mars 2024 | 20:53

    Në një analizë të shkurtër, studiuesja në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, Ivana Stradner dhe ish-admirali i pensionuar i marinës amerikane, Mark Montgomery, tani drejtor i lartë i qendrës për inovacionin kibernetik dhe teknologjik në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, kanë vlerësuar se Serbia dhe Rusia dëshirojnë të luftojnë me Kosovën, por kësaj herë me dezinformim.

    “Dje u shënua 25-vjetori i intervenimit të NATO-s kundër Serbisë më 1999 për të ndalur abuzimin e të drejtave të njeriut kundër popullsisë shqiptare në Kosovë. Sot, Këshilli i Sigurimit i OKB-së, me kërkesën e Rusisë, planifikon të diskutojë për intervenimin e NATO-s”, shkruajnë ata për The Hill.

    “Kjo do të nis një raund të ri të dezinformimit të Rusisë për agresionin e supozuar të NATO-s kundër Serbisë, aleates më të afërt të Moskës në Ballkan. Kjo është pjesë e përpjekjeve të Kremlinit për të ngjyrosur NATO-n dhe SHBA-në si aktorë armiqësorë, kështu duke arsyetuar agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe shteteve të tjera evropiane”, shkruajnë Stradner dhe Montgomery.

    Sipas tyre, Perëndimi duhet të kundërpërgjigjet – jo vetëm duke dëbuar dezinformimin e Rusisë, por duke kthyer vëmendjen kah Rusia, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    “Skenari i Rusisë është i njohur. Vladimir Putini e ka karakterizuar intervenimin e NATO-s si akt ‘agresioni’ dhe ‘egërsi’. Për shembull, Moska dhe Beogradi akuzojnë NATO-n për ndotjen e frontit të luftës me municione që përmbajnë uranium të varfëruar, i cili, sipas pretendimeve të tyre, pa prova shkencore – ka kontribuuar në shkallën e lartë të kancerit”, vlerësojnë ata.

    Rusia e ka cilësuar NATO-n si agresor në Kosovë dhe Moska gjithashtu vlerëson se intervenimi i vitit 1999 ishte precedent i supozuar për pushtimin rus të Ukrainës.

    Putini pa asnjë bazë ka akuzuar Kievin se ka kryer gjenocid kundër rusëve etnikë në lindje të Ukrainës.

    “Nëse NATO mund të intervenojë në Jugosllavi me baza humanitare, Moska argumenton se edhe Rusia mund ta bëjë të njëjtën gjë në Ukrainë. Pa harruar faktin se Moska, jo Kievi, është ajo që po kryen krime lufte në Ukrainë”, kanë vlerësuar Stradner dhe admirali i pensionuar amerikan.

    Kosova dhe Krimea 

    Kremlini gjithashtu drejton gishtin kah Kosova për të arsyetuar okupimin ilegal të Krimesë.

    Pasi Rusia e aneksoi Krimenë në vitin 2014, Putini ka argumentuar se parlamenti i Krimesë i kontrolluar nga Rusia “është autoritet legjitim” që ka “adoptuar deklaratën e pavarësisë ashtu siç bëri Kosova”.

    “Natyrisht se kjo narrativë injoron faktin se kosovarët vetë kërkuan pavarësinë, ndërkaq Rusia e pushtoi Krimenë dhe kurdisi referendumin për të arsyetuar aneksimin”, vlerësojnë ata.

    Përse Perëndimi duhet shqetësuar? Më 5 mars, drejtori i Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, paralajmëroi për ngritjen e rrezikut të dhunës ndëretnike në vitin 2024 në Ballkanin Perëndimor dhe se Rusia dhe Serbia janë duke krijuar kushte informative për përkeqësim të mëtutjeshëm në rajon.

    “SHBA-ja dhe aleatët e saj nuk mund të qëndrojnë pasiv përball gënjeshtrave të Rusisë. Qeveritë perëndimore bëjnë një punë të mirë në kontrollimin e fakteve të dezinformimit rus, por kjo nuk është e mjaftueshme. Standardet Perëndimore nuk përkojnë me audiencën pro-ruse dhe pro-serbe. Mirëpo mesazhet e tjera mund të marrin vëmendje. Të kesh qasje te një serb i zakonshëm, sidomos në kohë të rëndësishme kur Moska dhe Beogradi po nxitin tensionet etnike mes Serbisë dhe Kosovës apo gjetkë në Ballkanin Perëndimor”, paralajmërojnë dy analistët.

    Mesazhet perëndimore duhet t’u kujtojnë serbëve pro-rusë se historia tregon se Rusia është aleate jo e besueshme. Pavarësisht premtimeve të Moskës për mbështetje dhe vëllazëri dhe përpjekjet e saj për ta shtyrë Serbinë në konflikt të ri me Kosovën dhe NATO-n, Rusia në fakt nuk ka gjasa ta ndihmojë shumë Beogradin, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    “Për shembull, kur Parlamenti Federal Jugosllav votoi për t’u bashkuar me aleancë me Rusinë dhe Bjellorusinë gjatë ndërhyrjes së NATO-s në 1999, Moska u tha se përfshirja ushtarake ruse ishte e papërballueshme. Kjo pasqyron vendimin e Rusisë për të mos ndihmuar aleatin e saj Armeninë në luftërat e saj kundër Azerbajxhanit në 2020 dhe 2023, duke çuar në disfata poshtëruese për Jerevanin”, vlerësojnë Stradner dhe Montgomery.

    Për më tepër, Perëndimi mund të tregojë tërheqjen e Rusisë në vitin 2003 nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë. Operacionet e informacionit perëndimor gjithashtu mund të tallen me dërgimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore S-300 nga Rusia në Serbi përpara ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999, duke vënë në dukje se sistemet rezultuan të padobishme sepse arritën të paplota dhe shumë vonë.

    Për t’iu kundërvënë akuzave të pabaza të Rusisë se NATO-ja shkakton kancer nëpërmjet uraniumit të varfëruar, operacionet e informacionit perëndimor duhet të theksojnë historinë e vetë Rusisë të programeve të armëve biologjike. Perëndimi mund të përmendë gjithashtu ndikimin e katastrofës bërthamore të Çernobilit të vitit 1986 në Jugosllavi.

    Ndërsa Rusia nis fushatën e saj të fundit të dezinformimit kundër NATO-s, është koha që Perëndimi të kthejë tavolinat dhe ta çojë luftën në Kremlin. Kujtojuni serbëve pro-Moskë se me miq si Putini, nuk kanë nevojë për armiq.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!