×
  • Lajme
  • Lajme

    Serbia pretendon se e ka “çnjohjen e dhjetë të Kosovës në sirtar”

    Reporteri
    03 Janar 2023 | 10:11

    Serbia pretendon se në “sirtar” e ka siguruar edhe “çnjohjen e dhjetë” të shtetit të Kosovës, ka thënë Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë e cila udhëhiqet nga Ivica Daçiç, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Kjo e ashtuquajtur “listë çnjohjesh” të cilin fillimisht e kishte përmendur presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, në rastin e aplikimit të Kosovës në Këshill të Evropës, Daçiç pretendon se është zgjeruar.

    Ndonëse çnjohja nuk ekziston në marrëdhënie ndërkombëtare ngase është akt de jure i pakthyeshëm, dhe është e paqartë se çfarë përfaqëson ajo, Daçiç deklaron se fushata ndërkombëtare serbe për çnjohje të Kosovës “është intensifikuar”, shkruan Reporteri.

    Aplikimi i Kosovës për statusin e vendit kandidat në BE, ka vënë në lëvizje ministrin serb të jashtëm, i cili i referohet moratoriumit të ndërmarrë në kuadër të Marrëveshjes së Uashingtonit ku palët zotoheshin për ngrirje të njëvjetshme, përkatësisht që Kosova të mos aplikojë në organizata ndërkombëtare derisa Serbia ngrin fushatën e saj për çnjohje, fushatë kjo realisht asnjëherë e pezulluar nga pala serbe.

    Daçiç pretendon se nga 193 shtete gjithsejt sa janë anëtare të Kombeve të Bashkuara, 105 prej tyre “nuk e njohin Kosovën”, ndërsa Kosova thotë se ka njohjen e 117 prej tyre, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Pyetur nga mediat serbe se “pse nuk është publikaur një listë e tillë”, kryediplomati serb thotë se “Serbia respekton pozicionin e tyre dhe nuk dëshiron t’i ekspozojë ndaj presionit të Prishtinës, veçanërisht ndaj aleatëve të tyre”.

    “Duhet të jemi të kujdesshëm. Së dyti, me Marrëveshjen e Uashingtonit, ne kemi marrë përsipër të ndalojmë fushatën e çnjohjeve dhe kemi dashur të tregojmë se i qëndrojmë asaj. Sidoqoftë, Prishtina nuk e bën këtë. Dallimi në lidhje me obligimet e marra është esencial dhe gjithkush që ndërmjetëson e di shumë mirë kush është partner serioz e kush gënjeshtar”, ka thënë Daçiç, siç e citoi “Novosti”, përcjell Reporteri.net.

    Kosova ka aplikuar në maj të vitit të kaluar në Këshill të Evropës ndërsa në dhjetor ka aplikuar edhe për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, lëvizje këto të cilat kanë zgjuar në këmbë kundërshtinë e diplomacisë serbe.

    Në nëntor të vitit të kaluar, Daçiç pretendonte se që nga aplikimi i Kosovës në KiE “Serbia ka siguruar nëntë çnjohje” ndërsa tani i pretendon “dhjetë”./Reporteri.net/

    A ekziston çnjohja dhe çfarë do të thotë ajo në rastin mes Kosovës dhe Serbisë?

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!