×
  • Lajme
  • Lajme / Kronikë e zezë

    Seri e vrasjeve për tri ditë, katër të vrarë

    Reporteri
    26 Mars 2025 | 11:16

    Të dielën e 23 marsit një 19-vjeçar mbeti i vrarë nga një bashkëmoshatar i tij në Vushtrri, për motive që ende s’dihen. Policia e Kosovës arriti ta arrestojë të dyshuarin po atë natë, ku dhe iu konfiskua arma me të cilën dyshohet se kishte shtënë në drejtim të 19-vjeçarit. Krahas kësaj, në bastisjen e kryer në shtëpinë e tij, u gjet edhe një armë e gjatë me pesë fishekë, e cila gjithashtu u konfiskua.

    Në vendin e ngjarjes ishin gjetur tri gëzhoja.

    19-vjeçari tashmë veçse ka pranuar se ka kryer veprën.

    Kjo u konfirmua të hënën për Gazetën Online Reporteri.net nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës.

    “Gjatë intervistimit ai e ka pranuar se e ka kryer vrasjen. Hetimet po zhvillohen dhe është herët të flitet për motivet”, tha zëdhënësi i kësaj prokurorie, Valon Preteni për Reporteri.net.

    Por, Vushtrria u trondit sërish të hënën pasdite. Këtë herë një burrë vrau një grua, e më pas veten.

    Siç u raportua në media gruaja në fjalë, një 42-vjeçare kishte punuar në biznesin e të dyshuarit, në një furrë, dhe siç u tha nga familjarët e saj, ajo kishte ndërprerë marrëdhënien e punës aty, duke kaluar tek një biznes tjetër që ishte përballë me këtë të të dyshuarit.

    “Për shkaqe xhelozie” lidhur me punën, 58-vjeçari vrau 42-vjeçaren te nënkalimi në Stanoc të Vushtrrisë, e më pas veten e tij. Me 42-vjeçaren, njëri nga familjarët e saj, tha se kishte qenë edhe vajza e saj e vogël, 12-vjeçare, e cila kishte parë gjithçka.

    Nga Vushtrri në Prishtinë, kësaj radhe mbeti i vrarë një 62-vjeçar. Të martën e 25 marsit, të shtëna me armë zjarri ndodhën në rrugën “Rrustem Hyseni”, e njohur ndryshe edhe si “Katër Llullat”, ku fillimisht policia njoftoi për dy të plagosur, por më pas në QKUK, njëri nga ta mbeti i vdekur.

    Dy të dyshuarit të përfshirë në rast ndodhen në arrati, por janë identifikuar.

    Sipas raportit 24 orësh, policia njoftoi se ata kishin qenë të maskuar.

    Raportohet se dy persona të armatosur dhe të maskuar kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të dy viktimave meshkuj kosovarë dhe si pasojë njëri nga viktimat ka ndërruar jetë në QKUK, ndërsa viktima tjetër gjendet në tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes kanë dal të gjitha njësitet përkatëse policore. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës dërgohet në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh.

    Konfiskimi i armëve për dy muajt e parë të vitit

    Me Ligjin për armët në Kosovë, çdo person që ka së paku 21 vjet, mund të kërkojë leje për t’u pajisur me armë, si dhe duhet pasur arsye të besueshme përse ka nevojë për armë, si dhe të kaluar të pastër kriminale.

    Aplikuesi duhet të posedojë aftësi psiko-fizike dhe të kalojë testin teorik dhe atë praktik për përdorimin e armës.

    Sipas statistikave që Policia e Kosovës i ka dërguar Gazetës Online Reporteri.net, vetëm në dy muajt e parë të këtij viti janë konfiskuar 235 armë.

    Sasia e municionit që është sekuestruar për këtë periudhë kohore është 2 mijë e 998. Edhe vitin e kaluar, Policia ka konfiskuar sasi të madhe të armëve dhe municionit.

    “Referuar kërkesës tuaj ju informojmë se gjatë vitit 2024 janë konfiskuara 1537 armë dhe 24000 municion”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!