Analisti amerikan dhe profesori i Universitetit ”John Hopkins”, Daniel Serwer, i është drejtuar presidentit të Kosovës Hashim Thaçi përmes një letre të publikuar në peacefare, ku i flet për dialogun me Serbinë. Ai e paraqet të dërguarin e presidentit Trump si person që ka dështuar si ambasador në Gjermani, e që po dështon edhe si shef i Intelegjencës Amerikane.
Serwer në letrën e tij drejtuar Thaçit, thotë se duhet pasur kujdes, pasi kjo administratë aktuale amerikane nuk është e përkushtuar për Kosovën. Ajo sipas tij është e ndikuar nga lobist serbë dhe pak kujdeset për Ballkanin e aspak për Kosovën, përcjell Reporteri.net.
“Unë jam plotësisht “simpatizues” ndaj ambicieve euro-atlantike të Kosovës dhe vazhdimisht kam bërë përpjekje për këtë qëllim. Por nuk është e mençur të besosh që Washingtoni i kushton “vëmendje të plotë” dialogut Kosovë-Serbi, i cili ka qenë një proces krejtësisht i errët. Pak në Washington madje e dinë që po ndodh, dhe më pak brengosen për këtë. Kjo pavëmendje u ka dhënë mundësinë lobistëve të angazhuar nga Beogradi të ndikojnë në një administratë që kujdeset pak për Ballkanin dhe aspak për Kosovën, të cilën e konsideron si produkt të Administratës së përçmuar të (Bill) Clintonit”.
“Më keq se pavëmendja amerikane dhe paragjykimi pro-serb është se populli i Kosovës dhe i Serbisë nuk dinë asgjë për atë që po diskutohet në takimet tuaja të përsëritura me presidentin (Aleksandar) Vuçiq. Qytetarët tuaj kanë kërkuar transparencë. Unë kam kërkuar më shumë se një herë për një azhurnim. Asgjë nuk ka. Kjo ju lë “të ekspozuar” ndaj thashethemeve, të cilat nuk janë domosdoshmërisht të sakta. Vetëm transparenca që ju premtoni mund ta rregullojë atë problem”.
Tutje, Serwer flet për të dërguarin e posaçëm të presidentit Trump, të cilin e quan të dështuar.
“Richard Grenell është një njeri që ka dështuar si ambasador në Gjermani dhe po dështon si Drejtor i përkohshëm i Inteligjencës Kombëtare. Ai gjithsesi po bën një punë “mashtruese” në Ballkan, duke prezantuar marrëveshjet e vogla të transportit si hapa të mëdhenj përpara. Ai po punon gjithashtu shumë për të bërë presion ndaj kryeministrit (Albin) Kurti me kërcënimet e tërheqjes së trupave dhe ndihmave amerikane. Albini është i përkulur, por jo akoma i thyer përballë kërkesës së SHBA që ai të largojë taksën për mallrat serbe”.
Sipas Serwerit, Grenell ka për qëllim shkëmbimin e territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Qëllimi përfundimtar i Grenellit është shkëmbimi i tokës/njerëzve që administrata Trump po bën presion dhe ju keni treguar shenja se mund të pranoni. Një shumicë e popullsisë suaj, përfshirë serbët në jug të Ibrit, janë kundër kësaj ideje të pakuptimtë, e cila do ta bënte Kosovën një burim paqëndrueshmërie në të gjithë Ballkanin dhe më gjerë”.
“Ju sigurisht që mund të më bindni se jam gabim në të menduarit se jeni gati të tregtoni pjesë të Kosovës me popullsi serbe për hapësira të Serbisë me popullsi shqiptare: jepni parlamentit të Kosovës një llogari të plotë dhe të ndershme të bisedimeve me Vuçiqin. Kjo duhet të përfshijë agjendat, çdo draft ose propozim nga secila palë, dhe një transkriptim të plotë të dialogut në nivelin më të lartë dhe në çdo grup punues”.
Serwer i kërkon Thaçit që Kurti të marrë drejtimin e dialogut me Serbinë.
“Pastaj kthejeni përgjegjësinë për dialogun me qeverinë, pasi Gjykata Kushtetuese vendosi dhe parlamenti tani e ka konfirmuar. Bërja e Albinit udhëheqës (të dialogut) t’ju heq ngarkesën dhe do t’i vendosë serbët në një pozitë të vështirë, pasi kryeministrja e tyre – e favorizuara e presidentit – nuk mund të pretendojë të ketë llojin e mandatit popullor që ka Albini”.
“Ju jeni pa dyshim i zhgënjyer me rezultatet e zgjedhjeve që sollën Albinin në pushtet, pasi ata lanë partinë tuaj në vendin e tretë. Por, të punosh me vendin e dytë të zgjedhjeve për të rrëzuar Kryeministrin nuk do t’i bëjë aspak mirë Kosovës. Kjo rrezikon të ndezë një stuhi që do t’i japë fund perspektivës së pezullimit të taksës ose përparimit edhe më tej me dialogun me Serbinë”.
“Për një atdhetar kosovar, dhe shpresoj se kam të drejtë të supozoj se do të dëshironit të konsideroheshit si i tillë, shpejtësia nuk duhet të jetë përparësia. Nuk ka asnjë avantazh në synimin e një marrëveshje përpara zgjedhjeve të 26 prillit të Serbisë. Presidenti Vuçiq do të jetë më i lirë të bëjë lëshime për Kosovën pas zgjedhjeve sesa më parë”.
Kosova sipas Serwer duhet t’i presë zgjedhjet presidenciale në SHBA që të fitojnë demokratët dhe pastaj të pretendojë për marrëveshje finale me Serbinë.
“Kosova do të ishte e mençur të presë edhe më gjatë: derisa pasi amerikanët të shkojnë në votime në 3 nëntor. Nëse atëherë ekziston një President (Joe) Biden – një mik i vërtetë i Kosovës – mund të prisni që ai të fuqizojë një të dërguar serioz për të bashkëpunuar me Evropën, diçka që Grenell nuk mund ta bëjë kurrë, sepse ai dhe Presidenti Trump “ndjejnë neveri ndaj” Bashkimit Evropian, në arritjen e marrëveshjeve serioze midis Kosovës dhe Serbisë”.
“Aksioni i përbashkët i SHBA/BE është një parakusht për të sjellë presion të papërballueshëm për Beogradin. Grenell as nuk po përpiqet për ta bërë një gjë të tillë. Nëse Trump rizgjidhet, kushdo që është në pushtet në Kosovë do të duhet të “jetë i gatshëm” për të mbrojtur vendin tuaj nga sulmi i ideve të këqija të ndarjes – pëlqimet e Grenell do të vazhdojnë të gjenerohen”.
Kjo marrëveshje që po përgatitet tani, sipas Serwerit është e keqe për Kosovën, dhe duhet pritur të fitojnë demokratët në SHBA për të marrë një më të mirë.
“Shumica e qytetarëve tuaj duan një marrëveshje me Serbinë që e njeh shtetin e Kosovës si sovran dhe të pavarur brenda kufijve të saj aktual dhe i lejon asaj të hyjë në Kombet e Bashkuara. Kjo nuk është në ofertë akoma. Kosova duhet të jetë e gatshme të largohet nga një marrëveshje e keqe në mënyrë që të marrë një të mirë, në kohën e duhur dhe me ndihmën e SHBA-së dhe BE-së”.
“Deri atëherë, përmirësimet në rritje janë gjithçka që mund të shpresohet. Arti i qeverisjes kërkon që të inkurajoni qytetarët tuaj të jenë të durueshëm. Gjëra të mira vijnë për ata që mund të presin”, ka shkruar në fundë Serwer. /Reporteri.net