×
  • Lajme
  • Lajme

    Sfidat e Qëndronit në Kamenicë – nga sigurimi i maskave për policinë e deri tek mësimi me telefon në fshatin që nuk bën si duhet kabllori

    Reporteri
    07 Prill 2020 | 19:19

    Kamenica është një nga komunat që është prekur më së shumti nga koronavirusi ditët e fundit.


    Fshati Topanicë i kësaj komune prej ditësh është në karantinë, pasi janë 12 banorë të infektuar.

    Aktualisht numri i personave që janë identifikuar si kontakte është 140, prej të cilëve disa që kanë simptoma pritet të testohen në ditët në vijim, por që tashmë të gjithë janë në vetëizolim dhe nuk mund të dalin.

    Gazeta Online “Reporteri.net”, ka kontaktuar me kryetarin e Kamenicës, Qendron Kastrati, për të pyetur rreth gjendjes me koronavirus në komunën që udhëheq.

    Kastrati thotë se komuna që udhëheq nëse është e nevojshme do të marrë edhe masa shtesë në luftë kundër koronavirusit, ndërsa shton se do të përkujdesen edhe për furnizim me pako ushqimore për familjet që kanë nevojë.

    “Po shpresoj dhe uroj që këto raste të jenë të fundit në komunën tonë, por që ne do vazhdojmë të punojmë në bazë të vendimeve të institucioneve qendrore, udhëzimeve të IKShP-së, OBSh-së e MSh-së dhe varësisht prej nevojave e situatave që na vijnë, të marrim masa shtesë në menaxhim të virusit SARS – CoV-2. Gjithashtu, po angazhohemi që përmes donatorëve të ndryshëm, të përkujdesemi për furnizim me pako ushqimore për familjet me asistencë sociale”, ka deklaruar ai për Reporteri.net.

    Kreu i Kamenicës thotë se për momentin kanë mjaftueshëm materiale mbrojtëse.
    “Sa i përket materialeve mbrojtëse deri më tani jemi duke qëndruar mirë. Kemi pranuar donacione nga biznese të ndryshme të cilat i kemi shpërndarë edhe për policinë në Kamenicë e policinë kufitare”, ka pohuar ai.

    Ai thotë se qytetarët po tregohen të përgjegjshëm dhe bashkëpunues në luftën për parandalimin e kësaj pandemie e cila së fundmi ka prekur edhe në komunën e tyre.
    Sa i përket daljes së njerëzve, Kastrati pohon se ka dalje të njerëzve për nevojat e tyre, por se po angazhohen bashkërisht me policinë në ruajtjen e distancës sociale dhe me inspektoratin në markete.

    I pyetur rreth se sa po ndiqet mësimi online nga nxënësit, Kastrati thotë se Kamenica është njëra nga komunat që është e shpërndarë territorialisht dhe sa i përket mësimit online.

    Ai thotë se sfidë e kanë vetëm SHFMU “Kadri Zeka” në Desivojcë dhe paralelet e ndara fizike.

    “Në këtë fshat të komunës sonë nuk ka rrjet kabllovik e gjithashtu edhe rrjeti tokësor nuk funksionon siç duhet. Mësimi është duke u zhvilluar nga mësimdhënësit përmes mesazheve dhe thirrjeve telefonike me para, kurse nga raportet tjera të drejtorëve nga shkollat, gjithçka është duke funksionuar ashtu siç duhet”, ka treguar ai.

    Kastrati më tej tregon se komuna e tij po bashkëpunon edhe me komunën e Prishtinës në luftën kundër koronavirusit.

    “Meqë rastet pozitive me COVID-19 në komunën tonë kanë ndodhur më vonë sesa në komunat tjera, ne kemi qenë të përgatitur lidhur me mënyrën e menaxhimit, por normalisht që një nga komunat që kemi bashkëpunuar është edhe Komuna e Prishtinës. Kemi shkëmbyer informacione lidhur me masat e ndërmarra, aktivizimin e vullnetarëe e shpërndarjet e ndihmave për familjet në nevojë”, ka deklaruar ai. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!