×
  • Lajme
  • Lajme / Ndikimi rus

    SHBA-ja dhe BE-ja me mekanizëm të përbashkët për luftimin e propagandës në Ballkan

    Reporteri
    23 Maj 2024 | 23:25

    Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë lansuar Mekanizmin e Koordinuar për Ballkanin Perëndimor, që fokusohet ekskluzivisht në luftimin e manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja dhe ndikimit (FIMI), që përfshin dezinformimin dhe propagandën.

    Ky mekanizëm, sipas Departamentit amerikan të Shtetit, do të forcojë integritetin e informacionit në Ballkanin Perëndimor, transmeton REL.

    “Mekanizmi do të fuqizojë partnerët që të bëhen të aftë që të adresojnë vetë kërcënimet e FIMI-it dhe të punojnë së bashku për të zvogëluar aftësinë e Rusisë dhe Republikës Popullore të Kinës për të kryer fushata propagande dhe të manipulimit të informacionit në rajon”, tha DASH-i.

    Mekanizmi që u lansua, u krijua pas një takimi të zhvilluar muajin e kaluar në Belgjikë të Këshillit Ministror të SHBA-së dhe BE-së për tregti dhe teknologji.

    Më 19 maj, gjatë vizitës së nënsekretares amerikane e Shtetit për Diplomaci dhe Çështje Publike, Liz Allen, Kosova nënshkroi një marrëveshje mirëkuptimi me SHBA-në kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja.

    SHBA-ja tha se Kosova është vendi i 15-të në botë që e përkrah Kornizën e DASH-it për të luftuar manipulimin e informacionit nga shtetet e huaja.

    Uashingtoni tha se do të vazhdojë të punojë që rajoni të integrohet në struktura euroatlantike.

    “Kjo politikë mbështetet në ruajtjen e integritetit të hapësirës së informacionit digjital. Sot, informacionet e vërteta dhe ato të manipuluara përhapen lirshëm, prandaj informacioni i bazuar në fakte është një aspekt i domosdoshëm i qeverisjes së suksesshme demokratike”, tha DASH-i.

    SHBA-ja, por edhe BE-ja, vazhdimisht kanë thënë se shtete të Ballkanit Perëndimor përballen me fushata dezinformimi dhe propagande nga Rusia dhe Kina.

    Vitin e kaluar, James Rubin, i dërguar i posaçëm dhe koordinator në Qendrën Globale të Angazhimit të Departamentit amerikan të Shtetit, gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë tha se Kremlini po përdor “informacionin si mjet lufte” për të përçarë aleatët e SHBA-së në Ballkan.

    Sipas tij, mediat në rajon duhet të rrisin përpjekjet për të zbuluar dezinformimin rus dhe për ta dalluar atë nga e vërteta.

    Po ashtu, në fund të vitit të kaluar ishte publikuar një raport për dezinformatat, që ishte hartuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Në raport thuhej se Kosova është e ekspozuar ndaj dezinformatave dhe narrativëve që vijnë nga Rusia dhe Kina të cilat synojnë të nxisin luftë ndëretnike dhe ndërfetare në vend, të kriminalizojnë NATO-n dhe të ulin besimin e shoqërisë në integrimet euroatlantike, si dhe të pasqyrojnë SHBA-në si shembull të keq.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!