×
  • Lajme
  • Lajme

    ShBA-ja e shqetësuar me kundërshtimin e tyre, Haziri nuk tregon nëse LDK do ta votojë marrëveshjen në Kuvend

    Reporteri
    07 Mars 2023 | 8:57

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës s’i kanë pritur fare mirë kritikat e partive opozitare – me theks te LDK dhe PDK – mbi përmbajtjen e propozimit evropian. 

    Në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net, gjatë ditës së djeshme ambasada amerikane në Kosovë deklaroi se janë të shqetësuar me qëndrimet e opozitës karshi propozimit evropian, që të paktën gojarisht u pranua si bazë për diskutime të mëtejshme në dialogun Kosovë-Serbi.

    Nga Ambasada thanë se komentet e opozitarëve nuk përkojnë me ato të ShBA-ve.

    “Jemi të shqetësuar me deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare që shprehin kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të BE-së. Këto pikëpamje nuk përputhen me mbështetjen e ShBA-së për propozimin”, thotë zëdhënësi i Ambasadës amerikane, në përgjigje për Reporteri.net.

    Dy partitë më të mëdha opozitare në vend, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike vlerësojnë se Plani Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nuk është në favor të Kosovës, pasi s’e ka njohjen reciproke në qendër, por formimin e Asociacionit.

    Nga LDK këtë ujti madje, e kanë cilësuar si lëshimin më të madh dhe gabim historik në procesin e dialogut.

    Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri nuk ka thënë përgjigje nëse partia e tij do ta votojë në Kuvend një marrëveshje potenciale bazuar mbi planin e BE-së. Ai ka thënë se nuk është kërkuar vota e tyre nga ana e kryeministrit Kurti, derisa është shprehur se është në dorë të shefi të Qeverisë të krijojë unitet sa i përket këtij procesi.

    “Nuk mund të flasim. Më së pari nuk na është kërku vota neve nga ana e kryeministrit. Nuk jemi ftu as para as pas takimit për këtë çështje. Ka mund me i ftu liderët e opozitës, atë që LDK-ja e ka bë në praktikë. Edhe lideri i PDK-së më herët. Ne para se me sjellë vendime të tilla i kemi njoftu akterët kryesor qofshin opozitë e institucionet të tjera parimisht para se me mbërri deri te një çështje. Nuk mundesh me e befasu liderin e opozitës, e as nuk mundesh me e tejkalu e tani me thënë kam nevojë për ndihmën tuaj. Krejt është në dorë të kryeministrit për rrethanat në të cilat po flasim, e ka ai në vullnet politik. Jo LDK-ja. LDK-ja nuk e mbështet këtë dokument i cili nuk e ka njohjen si qëllim kryesor. Ne e kemi thënë këtë, është marrëveshje e përkohshme që ka me e rujtë burimin e tensioneve. Kryeministri duhet me u bë më transparent. Unë besoj që mirëkuptimi me partnerët sa i përket opozitës ekziston”, është shprehur Haziri në Tëvë 1.

    Ishte vetë kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ai që dy ditë më parë e ka vlerësuar marrëveshjen të rrezikshme për vendin tonë dhe “gabim historik” nënshkrimin e saj.

    “Në marrëveshjen me neutralitet ndaj statusit e me tejkalim të së kaluarës si vlerë, kryeministri i Kosovës i ka hapur dy dyer të rrezikshme për vendin. E para ka të bëjë me një organizim vetmenaxhues që është më shumë se Asociacion. E dyta ndërsa me Statusin Politik të Kishës Ortodokse Serbe. Shihni problemet në vendet fqinje për të kuptuar përmasën e këtij lëshimi”, ka thënë Abdixhiku.

    Ndryshe, zbatimi i propozimit evropian për normalizimin e raporteve, është hapi i radhës që Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin në një periudhë relativisht të shkurtër kohore.

    Bashkimi Evropian pas takimit të së hënës,tha se udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u pajtuan për një marrëveshje të mbështetur nga Perëndimi, por nuk pati nënshkrim dokumenti për shkak të mospajtimeve për zbatimin e saj, gjë që do të kërkojë më shumë bisedime.

    Kurti dhe Vuçiq priten të takohen sërish më 18 mars në Ohër. /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!