×
  • Lajme
  • Lajme / Raportet Kosovë-SHBA

    SHBA-ja ka shumë zhgënjim me këtë Qeveri të Vetëvendosje, thotë Escobar

    Reporteri
    15 Mars 2024 | 13:03

    I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, një një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ka thënë se janë shumë të zhgënjyer me Qeverinë që udhëheq Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin.

    “Nuk është hera e parë, këtë ua them. Dhe, ka shumë zhgënjim me këtë Qeveri të Vetëvendosje – jo vetëm në Uashington, por në Bruksel, në Romë, Berlin dhe Paris gjithashtu. Ne, përderisa i afrohemi 25-vjetorit të aksionit të NATO-s, është e rëndësishme që njerëzit ta kuptojnë që forca e marrëdhënies ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është mes njerëzve”, tha Escobar.

    Escobar, shtoi se “Ne gjithmonë do të jemi miq të ngushtë të Kosovës, por kjo nuk do të thotë se nuk do të kemi dallime me individë dhe me qeveri individuale”.

    “Dhe, mendoj se këtu jemi tani… po hyjmë në një periudhë të mungesës së komunikimit. Dhe ne, të paktën nga pala amerikane, po bëjmë gjithçka që mundemi për të riparuar këtë marrëdhënie”, tha tutje emisari amerikan.

    Gazeta online Reporteri.net javën që shkoi raportoi eksluzivisht, se Administrata amerikane ka limituar nivelin e bashkëpunimit dhe takimeve me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si ‘masë kufizuese’ ndaj tij. Shkak, moskoordinimi i përgjithshëm në çështjet që mund të ngadalësojnë apo rrezikojnë progresin në implementimin e marrëveshjeve të Brukselit, me Serbinë.

    SHBA-ja ‘masë kufizuese’ ndaj kryeministrit Kurti, limiton nivelin e bashkëpunimit dhe takimeve me të

    Në raportimin e 7 marsit 2024, Reporteri.net, duke u thirrur në burime të besueshme diplomatike paralajmëroi se “porosi të qarta dhe të domosdoshme” për Qeverinë e Kosovës pritet të vijnë shpejtë nga SHBA-ja”. Të gjitha ato i solli, Gabriel Escobar në tre ditë qëndrimi në Prishtinë.

    “Po kalojmë në vitin e dytë, ndoshta edhe vitin e tretë, dhe nuk ka pasur takime të nivelit të lartë mes askujt në Qeverinë e Kosovës me askënd administratën amerikane. Pra, ky duhet të jetë gjithashtu një tregues për njerëzit se ku është marrëdhënia”, tha Escobar të premten, i pyetur nëse SHBA po konsideron vendosjen e ndonjë masë ndaj Kosovës për shkak të veprimeve të Qeverisë.

    “Tani, pyetja nuk është nëse do të ketë masa, por padyshim ka pasoja”.

    Gjatë intervistës për Radio Evropa e Lirë, në fund të qëndrimit tre ditorë në Prishtinë, emisari amerikan, duke folur rreth vendimit për dinarin, tha edhe se “meqë kjo Qeveria e Vetëvendosjes nuk ka një histori të gjatë qeverisjeje – nganjëherë ka njerëz që nuk i mendojnë pasojat deri në fund”.

    “Dhe, unë mendoj që kjo është pse unë e karakterizova këtë në Bruksel si paksa jokompetencë, sepse kur flasim për pasojat e padëshirueshme, të gjithë e kuptuan se ka pasoja të padëshirueshme. Por, këto mund të ishin parashikuar dhe do të ishin parashikuar nëse nuk do të ishte [veprim] i pakoordinuar”, tha Escobar.

    Intervistën e plotë me Gabriel Escobar mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë…

    Escobar: Kurti refuzoi propozimet për dinarin

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!