×
  • Lajme
  • Lajme

    SHBA-ja kërkon që Beogradi dhe Prishtina t’i kthehen bisedimeve

    Reporteri
    22 Qershor 2019 | 20:31

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë që të përkrahin dialogun, të cilin e ndërmjetëson Bashkimi Europian, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ka thënë Departamenti amerikan i Shtetit, në një deklaratë për Zërin e Amerikës, me rastin e anulimit të takimit të liderëve nga Kosova dhe Serbia, i cili ishte paraparë të mbahet më 1 korrik në Paris.


    Në një deklaratë me shkrim nga Departamenti i Shtetit, theksohet që “Beogradi dhe Prishtina duhet të largojnë pengesat, t’i shmangin provokimet dhe t’u kthehen bisedimeve”.

    “Ne jemi të gatshëm që t’i dëgjojmë dhe ndihmojmë të dyja palët dhe BE-në, si ndërmjetësues, që të gjejnë zgjidhje, për të cilën do të pajtohen të gjithë”, kanë thënë nga Departamenti amerikan i Shtetit për Zërin e Amerikës.

    Senatori Ron Johnson, kryesues i nënkëshillit për Europë dhe bashkëpunim për siguri rajonale, në Këshillin e Senatit për Punë të Jashtme, ka thënë se është “dëshpëruar që takimi në Paris ndoshta nuk do të mbahet”.

    “Arritja sa më parë e marrëveshjes, do t’i kontribuonte stabilitetit të Serbisë, Kosovës dhe gjithë rajonit. Shpresoj që liderët në Beograd dhe Prishtinë të takohen së shpejti, të vazhdojnë bisedimet dhe të vazhdojnë të punojnë për arritjen e marrëveshjes”, ka thënë Johnson.

    Takimi në Paris, i paralajmëruar për 1 korrik, në të cilin është dashur që të takohen përfaqësuesit më të lartë të Serbisë dhe Kosovës, në praninë e presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane, Angela Merkel, është shtyrë për afat të pacaktuar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!