Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe është thelbësor për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas propozimit të BE-së, të cilin u tha se ShBA-ja e mbështet fuqishëm.
Uashingtoni tha gjithashtu se dëshiron një finalizim të shpejtë të “njohjes reciproke midis Prishtinës dhe Beogradit”, duke vënë në dukje se nuk është e mundur të përcaktohet një kornizë kohore specifike për këtë.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, në një fjalim në emër të Sekretarit të Shtetit, Anthony Blinken, njoftoi se Uashingtoni dëshiron që “propozimi i BE-së – Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” të rezultojë përfundimisht në “njohje reciproke”.
Raundi i ardhshëm i negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është planifikuar për më 18 mars në Ohër, Maqedonia e Veriut.
Pyetur se me çfarë radhe do të zgjidhet zbatimi i Asociacionit, Price ka theksuar se është thelbësore për normalizimin, sipas propozimit të BE-së.
Ai tha se Uashingtoni beson se dialogu duhet të çojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, e cila do të hapë derën për integrimin evropian dhe që është thelbësore për siguri më të madhe, stabilitet dhe prosperitet të Ballkanit Perëndimor.
Kujtojmë se i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, të enjten nis vizitën dyditore në Prishtinë, që synim ka përgatitjet për rundin e ri të dialogut.
Lajçak gjatë vizitës në Prishtinë pritet të takohet me krerët e institucioneve shtetërore dhe me ata të partive opozitare.
Sipas BE-së, pas qëndrimit në Kosovë, më 13 dhe 14 mars, Lajçak do të vizitojë Beogradin.