×
  • Lajme
  • Lajme

    Sherifi i Nismës thotë se një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti do të ishte zgjidhja për situatën

    Reporteri
    11 Mars 2020 | 13:15

    Sekretari i Përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka thënë se një mocion mosbesimi ndaj qeverisë në Kuvendin e Kosovës, do të nxirrte në shesh nëse për LDK-në dhe kryetarin e saj të cilët shprehin mospajtime me qëndrimet e Kurtit është më e rëndësishme të mbeten në qeveri apo të rudhen marrëdhëniet e mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


    Më tutje, ai shkruan se nëse LDK vazhdon me kritikat dhe qëndron në qeveri, atëherë ajo do ta ndajë përgjegjësinë për rrënimin e marrëdhënieve jetike për shtetin e Kosovës.

    “Pa zbatimin e një mocioni të tillë, kundërshtitë individuale të eksponentëve të lartpërmendur të LDK-së do të mbeten vetëm si kritika në kuadër të profileve të tyre të Facebookut apo Tëitterit”, ka shkruar ndër të tjera ai në “Facebook”.

    Postimi i plotë:

    Ka kontekste historike, si ky në të cilin ndodhemi, ku 100 ditë mund të kenë impaktin e një epoke!

    Kisha vendosur të mos jap ndonjë qëndrim lidhur me zhvillimet politike në vend dhe të respektoja afatin e “100 ditëve të famshme” të qeverisjeve demokratike. Mirëpo, ka kontekste historike, si ky në të cilin ndodhemi, ku 100 ditë mund të kenë impaktin e një epoke!

    Dinamika e rrënimit të marrëdhënieve me SHBA-të është alarmuese dhe askush nuk mund të përjashtojë hipotezën që kjo dinamikë politike të ndajë historinë e shtetit të Kosovës në Epokën PARA rrënimit të marrëdhënieve me SHBA-të dhe Epokën PAS rrënimit të këtyre marrëdhënieve.

    Nëse dikush mendon se duhet respektuar “100 ditëshin” për të parë si do të veprojë Qeveria Kurti, një gjë është e sigurt: Kosova nuk ka asnjë ditë në dispozicion për të lejuar aventura të tilla që vënë Kosovën përballë rreziqeve të paparashikueshme.

    Një numër reagimesh vënë theksin e kritikave në politikën VV-së, në përgjithësi, dhe të Albin Kurtit, si kryeministër, në veçanti. Kritikat e kësaj natyre nuk janë tërësisht objektive, për arsye se në kritikat e tyre nuk përfshihen të gjithë ata që janë përgjegjës për këtë situatë.

    Të mos harrojmë atë që është thelbësore për të kuptuar peshën e vërtetë të përgjegjësisë për gjendjen në të cilën ndodhemi: në zgjedhjet e 6 tetorit VV-ja ka fituar 29 mandate, që përbën përafërsisht një të katërtën e numrit të përgjithshëm të Kuvendit të Kosovës. Pa mbështetjen e 28 deputetëve të LDK-së dhe të 10 deputetëve të komuniteteve jo shumicë, Albin Kurti nuk do të kishte pasur fuqinë institucionale të zbatonte aventurat e tij, sepse nuk do të kishte pasur 61 deputetët e mjaftueshëm për një gjë të tillë.

    Një Mocion Mosbesimi ndaj qeverisë në Kuvendin e Kosovës, aty ku ka marrë besimin kjo qeveri, do të nxirrte në shesh nëse për LDK-në, për kryetarin e saj Isa Mustafa, për ministrat e LDK-së në qeveri, për deputetët e kësaj partie që shprehin mospajtimet me qëndrimet e z. Kurti është më e rëndësishme të mbeten në qeveri apo të ruhen marrëdhëniet e mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Nëse LDK vazhdon me kritikat dhe qëndron në qeveri, atëherë ajo do ta ndajë përgjegjësinë për rrënimin e marrëdhënieve jetike për shtetin e Kosovës. Pa zbatimin e një mocioni të tillë, kundërshtitë individuale të eksponentëve të lartpërmendur të LDK-së do të mbeten vetëm si kritika në kuadër të profileve të tyre të Facebookut apo Tëitterit!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!