×
  • Lajme
  • -->
    Lajme

    Shfaqen çarjet e para Thaçi-Rama: Presidenti thotë se nuk e zëvendëson vizionin për BE me “Minishengenin”

    Reporteri
    09 Nëntor 2019 | 20:57

    Presidenti Hashim Thaçi ka refuzuar të marrë pjesë në Samitin e Ohrit, ku po diskutohet për Minishengenin Ballkanik, pjesë e të cilit janë kryeministri Edi Rama, Zoran Zaev e presidenti serb, Aleksandar Vuciq.


    Thaçi ka dhënë arsyet për këtë refuzim, duke vënë theksin tek pjesëmarrja e shteteve që nuk e njohin Kosovën, por edhe tek çështja e vizitonit të Kosovës për integrim, shkruan Reporteri.net.

    Presidenti ka thënë se Kosova nuk e zëvendëson vizionin e saj për anëtarësim në BE dhe NATO me iniciativa rajonale, duke përmendur Minishengenin.

    Ky refuzim i Thaçit mund të konsiderohet edhe si një çarje në mes të presidentit kosovar dhe kryeministrit shqiptar, pasi Minishengeni ishte plan në të cilin Rama ka  mjaft shumë “pronësi”./Reporteri.net

    Reagimi i plotë i presidentit Thaçi:

    Si President i Republikes së Kosovës, dua të informoj qytetarët se, kam refuzuar pjesëmarrjen time në Samitin e Ohrit. Ky vendim për mospjesëmarrje bazohet në disa argumente ekzistuese.

    Së pari, Kosova, qëllimshëm ishte anashkaluar nga Serbia në Samitin e Parë të kësaj iniciative të re rajonale. Së dyti, vizioni i vetëm i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe NATO. Prandaj, ne nuk duam që në asnjë rrethanë ta zëvendësojmë perspektivën tonë euroatlantike me çfarëdo iniciative rajonale.

    Dhe, së treti, kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

    Kosova është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe heqjen e pengesave për lirinë e njerëzve dhe mallrave.

    Por, Kosova nuk mund të jetë pjesë e një Samiti të tillë në te cilin marrin pjesë shtete, të cilat ende nuk e njohin realitetin e Kosovës së pavaruar.

    Ne jemi të përkushtuar që të tejkalojmë pengesat aktuale nëpërmjet dialogut dhe marrëveshjes për njohje reciproke. Vetëm atëherë kur të ndodhë një gjë e tillë, ne do të bëhemi pjesë e iniciativave të tilla rajonale si shtete të barabarta. HTH

    Shpërndaje:
    -->
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!