×
  • Lajme
  • Lajme / Njoftimi

    Shfaqja e arinjve te Liqeni i Jazhincës, Policia: Fotot e bëra nga 10 metra larg, veprime që çojnë në pasoja serioze

    Reporteri
    02 Qershor 2025 | 16:08

    Policia në Ferizaj i ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë qëndrimit në natyrë, në veçanti atyre tek Liqeni i Jazhanicës ku ka fluks të madh të turistëve, që të kenë kujdes, pas shfaqjes ditëve të fundit të arinjve, shkruan Reporteri.net.

    Policia thotë se qytetarët kanë bërë veprime të rrezikshme, duke fotografuar arinjt nga shumë afër.

    KOMUNIKATË PËR MEDIA:

    Ferizaj, 02.06.2025

    Apel për kujdes dhe siguri në zonën malore të Shtërpcës

    Të nderuar qytetarë dhe vizitorë,

    Bazuar në informacionet e mbledhura nga terreni, është vërejtur një rritje e konsiderueshme e pranisë së kafshëve të egra – veçanërisht e arinjve – në territorin e komunës së Shtërpcës.

    Raportimet e përditshme tregojnë se këto kafshë janë parë në afërsi të vendbanimeve, çka paraqet një rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e qytetarëve.

    Situata bëhet edhe më shqetësuese në zonat malore përreth Brezovicës, sidomos përreth liqeneve të Shtërpcës, me theks tek liqeni i Jazhincës, ku çdo ditë qëndrojnë një numër i madh turistësh dhe vizitorësh vendorë e të huaj.

    Shumë prej tyre janë në kontakt të afërt me kafshët e egra, duke bërë fotografi dhe video nga distanca të papërshtatshme (vetëm 10-20 metra larg), veprime të cilat mund të çojnë në pasoja serioze për jetën e tyre.

    Apelojmë ndaj të gjithë qytetarëve, sidomos familjeve me fëmijë, që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qëndrimit në natyrë dhe të shmangin çdo afrim ndaj kafshëve të egra.

    Në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, do të ndërmerren masa informuese dhe parandaluese.

    I ftojmë gjithashtu mediat që të ndihmojnë në shpërndarjen e këtij apeli, me qëllim vetëdijesimin e qytetarëve dhe mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të të gjithëve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!