Vjosa Osmani, sot u shkarkua nga pozita e nënkryetares së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe nga Kryesia e saj.
Në votimin e propozimit për shkarkimin e saj, morën pjesë 95 nga 123 anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, ku 92 prej tyre kanë votuar pro shkarkimit të Osmanit, 3 kanë dalë kundër, ndërsa 4 kanë abstenuar dhe 28 nuk kanë marrë pjesë në votim, shkruan Reporteri.net.
Menjëherë pas njoftimit të LDK-së për shkarkimin e Osmanit, kjo e fundit reagoi me një shkrim të gjatë në faqen e saj zyrtare në Facebook, ku renditi disa nga arsyet për të cilat sipas saj u përjashtua nga pozitat drejtuese në LDK.
Por në reagimin e saj, Osmani nuk dha një deklaratë konkrete me të cilën bën të ditur nëse do të largohet nga LDK apo do të vazhdojë të mbetet pjesë e saj.
Megjithatë, ajo e paralajmëroi partinë e saj se do të ballafaqohen shumë shpejt në garë zgjedhore.
Ajo shton se gara e vërtetë është para qytetarëve, edhe pse sipas saj shumica dërrmuese e diferencuesve janë aq frikacakë sa nuk do të guxojnë të dalin në atë përballje por, sërish do fshihen prapa dikujt tjetër.
Ka disa muaj që qarkullojnë zëra të cilët kanë thënë se Osmani mund t’i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje, pasi që ajo disa herë ka bërë të qartë se qëndrimet e saj politike janë të njëjta me ato të VV-së, shkruan Reporteri.net.
Një kalim të mundshëm tek VV dhe përjashtimin nga LDK e kishte mohuar vetë Osmani duke thënë se derën asaj për t’u larguar nga kjo parti mund t’ia tregoj vetëm votuesi i saj.
“Karriera ime politike përtej emrit të partisë lidhet me qytetarët me përkrahjen e tyre, jo gjithmonë të gjithë janë të kënaqur. Bashkëpunimin me Vetëvendosjen e shoh si të domosdoshëm”, pati theksuar Osmani.
Por ka disa interpretime se ajo mund edhe të formojë një parti, në formë të listës, në të cilën do bashkëngjiteshin edhe emra të njohur nga shoqëria civile. /Reporteri.net/