×
  • Lajme
  • Lajme / Njoftimi

    Shkarkohet kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri

    Reporteri
    19 Maj 2024 | 12:58

    Në Kuvendin e Përgjithshëm të Jashtëzakonshëm të thirrur nga Drejtues të SPK-së është shkarkuar nga pozita e kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Në komunikatën e lëshuar për media, thuhet se në këtë Kuvend ishin të pranishëm 60 delegatë nga gjithsej 73.

    “Sot më datë 19.05.2024 është mbajtur Kuvendi i Përgjithshëm i Jashtëzakonshëm ku ishte thirrur nga Këshilli Drejtues i SPK-së bazuar në Ligjin mbi Organizimin Sindikal dhe Statutit të Sindikatës së Policisë së Kosovës, me të vetmën pikë të Rendit të Ditës për votimin e shkarkimit të kryetarit të SPK-së Imer Zeqiri”.

    “Në këtë Kuvend të pranishëm ishin 60 delegat të Kuvendit nga gjithsej 73 delegat që ka ky Kuvend dhe në mënyrë unanime me vota të hapura të gjithë votuan PRO shkarkimit të kryetarit të Sindikatës së Policisë së Kosovës Imer Zeqiri”, thuhet në njoftim.

    Tutje, në njoftim thuhet se Sindikata do të vazhdojë punën pa pengesa për të mbrojtur të drejtat e çdo punonjësi të Policisë së Kosovës.

    “Kuvendi i Përgjithshëm i SPK-së i siguron të gjithë anëtarët e Sindikatës së Policisë së Kosovës se kjo Sindikatë do të vazhdoj punën pa pengesa deri në Kuvendin e ardhshëm duke mbrojtur të drejtat e çdo punonjësi të Policisë së Kosovës, ngritjen e mirëqenies dhe kushteve të punës”, thuhet në njoftimin e Kuvendin të Përgjithshëm i SPK-së.

    Dy javë më parë, Gazeta Online Reporteri.net kishte raportuar se Zeqiri ishte suspenduar nga Inspektorati Policor i Kosovës nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”.

    Mediumi kishte raportuar se Zeqiri i kishte incizuar pa autorizim kolegët e tij të zyrës, gjegjësisht nënkryetarët e kësaj sindikate.

    Suspendimin e tij e kishte konfirmuar edhe IPK-ja.

    “Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve përmes Linjës së Kaltër (numrit të telefonit pa pagesë 080003333) ka pranuar sot një informacion nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimet se nga një toger policor është kryer vepra penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”. Pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes ku dyshohet se është kryer vepra penale respektivisht në zyrat e Sindikatës së Policisë së Kosovës. Zyrtarët e IPK-së kanë kontaktuar me Prokurorin kompetent duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore së bashku edhe me njësi relevante të Policisë së Kosovës.”, thuhej në njoftimin e IPK-së./Reporteri.net/

    Suspendohet kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, incizoi tinëz kolegët

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!