×
  • Lajme
  • Lajme / Operacioni "Qielli i Thyer"

    Shkatërrohet grupi kriminal – Arrestohen 22 persona, sekuestrohen drogë, para e vetura

    Reporteri
    03 Qershor 2025 | 15:20

    Me pjesëmarrjen e rreth 600 pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, u zhvillua një ndër operacionet më të mëdha kundër krimit të organizuar në vend, i koduar “Qielli i Thyer”, i cili çoi në arrestimin e 22 personave të dyshuar për trafikim narkotikësh, pastrim parash dhe përfshirje në rrjete të krimit të organizuar.

    Sipas Prokurorisë Speciale, aksioni u zhvillua pas hetimeve disa mujore dhe përfshiu 47 lokacione në Prishtinë, Prizren, Pejë dhe Gjilan, ku u sekuestruan lëndë narkotike, 129 vetura, 134,900 euro para të gatshme, 20,000 franga zvicerane, para të falsifikuara, arma të ndryshme, orë luksoze, si dhe teknologji e përdorur për komunikim të koduar përmes aplikacionit “SkyECC”.

    Operacioni u mbështet nga autoritetet belge, holandeze dhe Europol-i, ndërsa udhëhiqej nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Urdhër-kontrolle të gjera u shtrinë në pronat dhe llogaritë bankare të të dyshuarve, duke përfshirë edhe ngrirjen e 400,000 eurove dhe bllokimin e pasurive të paluajtshme.

    “Angazhimi dhe puna e koordinuar, e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë dhe PSRK-së, ka rezultuar me shkatërrimin e një grupi të krimit të organizuar të trafikimit me narkotikë, ku janë arrestuar 22 persona. Personat janë arrestuar nën dyshimet për kryerjen e veprave penale “krim i organizuar”, në lidhje me trafikimin e narkotikëve dhe pastrimit të parave. Veprat penale, të pandehurit dyshohen se i kanë kryer përmes aplikacionit “SkyECC”.”, thuhet në njoftim.

    “Në aksion kanë marrë pjesë rreth 600 zyrtarë të Policisë së Kosovës, të cilët në mënyrë të koordinuar kanë asistuar në bastisjen e 47 lokacioneve, dhe arrestimin e personave të dyshuar.
    Gjatë realizimit të urdhër kontrollit në këto lokacione është gjetur dhe sekuestruar sasi e konsiderueshme e provave materiale, dhe pasurive të specifikuara duke përfshirë: lëndë narkotike, 129 vetura, 134 e 900 mijë para të gatshme, 20 mijë e 40 franga zvicerane, 490 dollarë, 13 mijë euro para të falsifikuara, 9 orë dore të markave të njohura, 36 armë të llojeve të ndryshme, 1569 fishekë të ndryshëm, 1292 copë municione të ndryshme, një prese për paketimin e heroinës dhe kokainës, laptopë, telefona, usb dhe dokumente të ndryshme.”, thuhet tutje në njoftim.

    Po ashtu janë ngrirë mjete në llogari bankare në vlerë prej 400 mijë euro, dhe janë vënë nën urdhër ndalues të gjitha paluajtshmëritë e të pandehurve në këtë rast.

    “Operacioni i koduar “Qielli i Thyer”, është përkrahur nga autoritetet e Belgjikës, Holandës, Europol-it, dhe është udhëhequr nga Prokurori i PSRK-së, i cili ka qenë prezent gjatë realizimi të urdhër kontrollit. Ky operacion është rezultat i një hetimi të gjatë kundër grupeve të krimit të organizuar që janë marrë me trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve, pastrimin e parave dhe formave të tjera të krimit të organizuar. Prokurorët e Prokurorisë Speciale, në koordinim të plotë me hetuesit policorë kanë qenë të përkushtuar në vazhdimësi për shkatërrimin e këtij grupi të organizuar kriminal. PSRK, dhe Policia e Kosovës siguron qytetarët e Republikës së Kosovës, se asnjë aktivitet kriminal nuk do të tolerohet në komunitetin tonë, duke theksuar angazhimin në luftimin dhe parandalimin e këtyre veprave penale, dhe vënien para përgjegjësisë të atyre që e shkelin ligjin.”, përfundon komunikata.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!