×
  • Lajme
  • Lajme / Seanca konstituive

    “Shkelje, veprim kundër kushtetutës”, reagimet nga VV pasi PDK nuk mori pjesë në votim për kryekuvendarin

    Reporteri
    20 Prill 2025 | 19:36

    Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit sot ka adresuar kritika në drejtim të Partisë Demokratike të Kosovës pasi deputetët e kësaj të fundit dje në seancën konstituive nuk morën pjesë në votim për kandidaten e VV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

    Shkelje dhe veprim antikushtetues e të kundërligjshëm nga VV po e quajnë mosmarrjen pjesë në votim nga ana e deputetëve të PDK-së, shkruan Reporteri.net.

    Blerim Sallahu, nga VV përmes një reagimi në Facebook ka thënë se PDK ka vepruar kundërligjshëm e kundërkushtetutës, shkruan Reporteri.net.

    “A ka anëtarë të shoqërisë civile, ndonjë analist e gazetar, njohës të kushtetutës e ligjeve që e hap gojën për raste kur PDK vepron kundërligjshëm dhe kundër kushtetutës apo kriter për të na përndritur është nëse çështja ka të bëjë vetëm me LVV-në?”, ka shkruar ai në Facebook.

    Para Sallahut, reagoi deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila,  e cila kritikoi deputetët e PDK-së duke thënë se mosvotimi sipas  Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në Rastin Nr. KOU9/14, pika 128 konsiderohet shkelje, shkruan Reporteri.net.

    “Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në Rastin Nr. KOU9/14, pika 128 thotë se “Në konstituimin e Kuvendit, të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë si të dëshirojnë, në mënyrë të hapur ose të fshehtë, të votojnë “për”, “kundër” ose të abstenojnë, dhe nuk mund të lirohen nga të vepruarit kështu”.

    “Dje në pikën për zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit, kishte deputetë që nuk morën pjesë fare në votim. Mosvotimi sipas këtij Akgjykimi konsiderohet shkelje. Ky veprim nuk mund të përsëritet nesër gjatë vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit”, ka shkruar Kusari-Lila.

    Kujtojmë se propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për të zgjedhur Kryeparlamentare, Albulena Haxhiun, dështoi dy herë të shtunën e 19 prillit, pasi Albulena Haxhiu në të dyja votimet mori 57 vota të deputetëve, nga 61 sa nevojiteshin, ndërsa 20 prej tyre ishin kundër dhe tre abstenuan, nga 115 deputetë që ishin në sallë.

    Dje pas seancës, Haxhiu tha para gazetarëve se edhe të hënën emri i saj do të propozohet, ndërsa akuzoi partitë tjera politike që sipas saj po i mbajnë bllokuar institucionet e vendit.

    Seanca e radhës do të mbahet të hënën në orën 15:00. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!