×
  • Lajme
  • Lajme / Reagimi

    Shkëlqim Devolli: Nuk dorëzohem para insinuatave të paqëndrueshme të politikës, jam qytetar krenar i Pejës së Republikës së Kosovës

    Reporteri
    19 Prill 2025 | 16:46

    Biznesmeni Shkëlqim Devolli ka dalë me një sqarim pasi u akuzua nga zyrtarë të pushtetit se ka mohuar shtetësinë e Kosovës, bazuar në disa dokumente të publikuara rreth rreth aktiviteteve biznesore të Devollit, ku qyteti i Pejës në Kosovë figuron si qytet në Serbi.

    Devolli në sqarimin e tij ka thënë se ai e kishte marrë nënshtetësinë e Malit të Zi në kohën kur Kosova ende nuk e kishte shpallur pavarësinë, pra para se Mali i Zi ta pranonte atë si shtet.

    Ai thotë se dokumentet e tij zyrtare, janë të njëjta siç edhe në atë kohë kanë qenë të të gjithë qytetarëve të Kosovës të cilët kanë marrë nënshtetësinë e Malit të Zi, para se ky shtet ta njihte Kosovën.

    “Ndoshta Gërvalla Schwartz do t’ia publikojë tashti pasaportat gjermane ku shkruan Peć, Srb edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, të cilëve shteti gjerman ua ka dhënë ashtu (përndryshe, vepër penale është publikimi i dokumenteve personale të të tjerëve). I takon dhe i ka takuar politikanëve të punojnë që Kosova dhe dokumentet e Kosovës të pranohen nga shtetet e tjera. Unë, si individ, nuk mund ta bëj këtë!”, ka shkruar ai ndër të tjera në reagimin e tij.

    Reagimi i plotë:

    “Unë, Shkëlqim Devolli, jam shtetas i Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Kam lindur, jam rritur, punoj dhe jetoj në Pejë.

    Kur kam marrë nënshtetësinë e Malit të Zi, Kosova nuk e kishte shpallur pavarësinë dhe Mali i Zi nuk e kishte pranuar atë.

    Dokumentet e mia janë të njëjta, siç i kanë edhe të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët kanë marrë nënshtetësinë e Malit të Zi para se Mali i Zi ta njihte Kosovën si shtet.

    Ka shtete, të cilat edhe pasi që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës kanë vazhduar që në dokumente zyrtare t’i shkruajnë emërtimet e vendbanimeve të Kosovës si të Serbisë. Këtë e ka bërë edhe shteti i Gjermanisë deri para pak kohësh, edhe pse ka 17 vjet që e ka njohur shtetin e Kosovës.

    Është ironike se si ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz, e cila ka ardhë në këtë detyrë nga Gjermania, bën përpjekje për t’i kthyer dështimet e saj, si dhe të kolegëve politikanë, si dështime të qytetarëve të Kosovës.

    Ndoshta Gërvalla Schwartz do t’ia publikojë tashti pasaportat gjermane ku shkruan Peć, Srb edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, të cilëve shteti gjerman ua ka dhënë ashtu (përndryshe, vepër penale është publikimi i dokumenteve personale të të tjerëve).

    I takon dhe i ka takuar politikanëve të punojnë që Kosova dhe dokumentet e Kosovës të pranohen nga shtetet e tjera.

    Unë, si individ, nuk mund ta bëj këtë!

    Ajo që unë, si Shkëlqim Devolli, di dhe e bëj me shumë dashuri dhe krenari, është të hapi vende pune për qytetarët e Kosovës, t’i sjell Kosovës prodhime vendore të cilësisë më të lartë, t’i paguaj taksa buxhetit të Kosovës, ta prezantoj Kosovën me plot shkëlqim në tregjet ndërkombëtare.

    Unë e dua vendin tim, Republikën e Kosovës. Me breza kemi punuar dhe do të punojmë për Kosovën.

    Të parët e mi, unë dhe fëmijët e mi kanë jetuar, jetojmë dhe do të vazhdojmë të jetojmë në Kosovë.

    Asnjëherë nuk do të ndalem, me të gjithë qenien time dhe ndihmën e bashkëpunëtorëve, në angazhimin që Kosova të zhvillohet dhe të përparojë.

    Por asnjëherë nuk do të dorëzohem edhe para sulmeve dhe insituatave të politikanëve, kur atyre iu duhet për nevoja të veta, siç është rasti i tashëm me ministren Gërvalla Schwarz. Pse vetëm tash dhe jo para katër vjetësh kur e ka marrë detyrën nuk e ka ndërmarrë këtë hap të padrejtë e të lig, vetëm ajo e di”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!