Sipërmarrësi Shkëlqim Devolli është duke qëndruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një vizitë të karakterit ekonomik.
Ai sot gjatë ditës ka takuar në Washington DC dy politikanë dhe afaristë të suksesshëm, kongresistin demokrat, Kevin Hern, dhe senatorin republikan, Pete Ricketts.
Afaristi kosovar, në takime të ndara në Kongres dhe në Senat, i ka njoftuar përfaqësuesit amerikanë për bizneset e Devolli Corporation në Kosovë, rajon dhe Evropë, si dhe afarizmin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duke qenë se të dy këta politikanë kanë hyrë në politikë pas sukseseve që kanë pasur si biznesmenë, temë e takimeve ka qenë edhe rritja e bashkëpunimit të deritashëm ndërmjet tregut amerikan dhe atij kosovar, si dhe mundësitë për bashkëpunime të reja tregtare.
Kongresisti Hern ka në pronësi të veten rreth 25 restaurante McDonald’s, si dhe për shumë vjet ka shërbyer në pozita të larta udhëheqëse në këtë kompani, që është një ndër brendet më të njohura në botë. Ai ka qenë i përfshirë edhe në sektorin bankar, të teknologjisë, atë të patundshmërive dhe botimeve sportive.
Kurse, senatori Ricketts, i cili po ashtu ka ekspertizë të gjatë sipërmarrëse, ka ushtruar edhe detyrën e Guvernatorit të shtetit të Nebraskas.
Afaristi Devolli ka shprehur interesimin e tij që korporata të cilën e udhëheq të mund të bashkëpunojë me sektorët ekonomikë në të cilët këta politikanë të lartë kanë qasje.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.