Publicisiti dhe njohësi i çështjeve politike në vend Shkëlzen Maliqi ka bërë një rezyme të deklaratave të Lutfi Hazirit dhe Isa Mustafës në raport me Lëvizjen Vetëvendosje.
Maliqi në një prononcim për “Gazeta Blic” ka deklaruar se LDK ka nevojë të rikonfirmojë pozitën e saj në karshi Lëvizjes Vetëvendosje në këtë faze finale të koalicionit.“LDK-ja në fazën finale të zyrtarizimit të koalicionit, e cila perceptohet si e pa alternativë, ka nevojë që të riafirmojë ose edhe riforcojë pozitën e vetë në koalicionin në ardhje karshi një triumfalizmi të tepruar te partnerit, Lëvizjes Vetëvendosje!
Ky triumfalizëm vërehet edhe te Albin Kurti i cili në intervistat e shumta, ndonëse thekson se LVV-ja si e vetmja nuk mund ta mbajë pushtetin, duhet ta ndajë atë me LDK-në, megjithatë shpesh flet si Kryeministër fuqiplotë, duke premtuar se do të marrë disa masa të cilat gjithsesi do të duhej paraprakisht të kalonin dakordimin në programin e përbashkët qeverisës, që më sa dimë nuk është bërë ende. Pra, Kurti po ngutet me premtimet për të cilat nuk do të mund të vendos vetë as kur të ulët në kolltukun e kryeministrit” thekson Maliqi.
Ai thekson se Kurti duhet të ketë kujdes që kandidimin e tij të logjikshëm ta kaloje përmes filtrit te programit të përbashkët qeverisës.“Para disa ditësh edhe Isa Mustafa,Kryetari i LDK-së, deklaroi se LDK-ja mund të heq dorë nga koalicioni dhe të kalojë në opozitë nëse nuk ka pajtim me LV rreth qeverisjes. Ku qëndrim është më kushtëzues se i Lutfi Hazirit.
Albin Kurti duhet të ketë kujdes që kandidimin e tij të logjikshëm ta kalojë përmes filtrit të programit të përbashkët qeverisës, dhe jo që të imponohet si “bos” i madh që shtyen përpara politikat vetanake, të paharmonizuara me LDK-në. Lutfi Haziri e ka thenë një të vërtetë se kandidatura e Kurtit për kryeministër duhet të aprovohet edhe nga organet e LDK-së. U pëlqeu ose jo kjo dikujt, Kurti si kryeministër nuk mund të pretendojë t’i realizojë politikat e LVV pa konsulta, koncesus ose kompromis me LDK-në”.
Maliqi thotë se ky koalicion mund të përballet edhe me probleme të tjera që kanë të bëjnë me ndasitë sa u përket temave të mëdha.
“Qeveria e re do te ketë në agjendat e trajtimit disa çështje madhore dhe urgjente, p.sh. ato të negociatave me Serbinë, ku më parë LV dhe LDK kanë pasur dallime të mëdha, dhe tani u duhet ta hartojnë strategjinë e përbashkët politike. Sigurisht, LV dhe LDK mund të shfaqin publikisht, por me kujdes, edhe dallime të caktuara, por vetëm si taktika të fleksibilitet relativ, kur kjo është e nevojshme në negocimin e disa ofertave kompromise nga ndërkombëtarët.”
Megjithëse këto dy subjekte politike janë në bisedime për formimin e koalicionit të ri qeverisës, mes tyre vazhdimisht ka patur kundërshti dhe mospajtime sa u përket temave të caktuara.