Gazetari Shkumbin Kajtazi flet pas sulmit: Policia s’më ofroi mbrojtje, prokurori ende nuk më ka kontaktuar

Gazetari Shkumbin Kajtazi, vetura e të cilit është sulmuar mesnatën e së dielës me armë zjarri, ka folur në Frontal të T7 për ngjarjen që i ka ndodhur.


Kajtazi ka treguar se vetura e tij gjendej në qendër të Mitrovicës.

“Unë dola relativisht vonë prej shtëpisë, pak para orës 11’të, rasti ka ndodhur pas maksimum një ore. i kam dëgjuar krismat, janë dëgjuar të shtënat, kanë qenë diku gjashtë të shtëna. Janë rreziku edhe njerëzit tjerë, sepse një plumb ka goditur një pjesë të lokalit. Rruga që ka ndodhur është veç 30 metra larg sheshit të Mitrovicës. Plumbat kishin thyer xhamat, kishin depërtuar në pjesën e brendshme të veturës. Besoj ka qenë 40 minuta, krismat u komentuan në lokalin ku ishim. Vetura ka qenë në qendër të qytetit”, ka bërë të ditur Kajtazi.

Kajtazi tha se policia nuk i ka ofruar siguri. Ai deklaroi se pas intervistës në stacionin policor ka shkuar në shtëpi me taksi në shtëpi.

“Sot më kanë thirrur hetuesit e Krimeve të Rënda, më kanë thënë se janë duke i kryer hetimet e nevojshme, po gjurmojnë për pamje të kamerave, siç kam marrë vesh andej ka kamera, përmes kohës mund të gjurmohet vetura që kalon andej. Më ka bërë përshtypje sjellja joprofesionale e policisë, unë kam qëndruar rreth tri orë duke biseduar me ta. Nuk më kanë ofruar siguri, përveç që kam qëndruar aty, kam qenë në stacion për të dhënë deklaratë, kam shkuar në shtëpi me taksi, nuk e di qysh shkojnë procedurat, por ka mundur të veprohet ndryshe”, ka deklaruar Kajtazi.

Kajtazi tha se ende nuk e di kush është prokuror i rastit.

“Tri herë e ka thirrur polici prokurorin dhe nuk ka ardhur. Ata marrin mëditje më shumë dhe nuk dalin në vendngjarje, prokurori ende nuk më ka kontaktuar dhe nuk e di kush është prokuror i rastit. Ky është njëfarë atentati, s’po them që ka gjuajtur me qëllimin për të më vrarë, por është njëjtë si me qenë në shtëpi dhe me gjuajt për me të vra”, ka thënë Kajtazi në Frontal.

Ai ka përmendur edhe sulmin e para katër muajve që i ishte bërë, ku persona të panjohur kishin derdhur benzinë mbi veturën e tij.

“Për sulmin e parë e kam një pistë të qartë. Kam gjurmuar. Një person është arrestuar dhe e ka pranuar fajin, nuk është dërguar në mbajtje as një jave, ka thënë për disa shkrime. Më pasd e ka përmendur një emër tjetër në deklaratë, emri tjetër është intervistuar, kur më ka thirrur prokurori kam thënë se kryesi është viktimë, pasi ai as nuk më ka njohur, me gjasë ka marrë para për ta kryer këtë, shkrimet nuk i ka përmendur”, tha Kajtazi.

“Unë jam redaktor dhe përgjegjësia mund të bije për secilin lajm që del në gazetë. Për shkak se nuk ka përmendur ai nuk e di për cilin shkrim. Kur shkova në prokurori javën e kaluar e pash që nuk janë marrë provat që i kam ofruar, personi edhe pse e ka pranuar as nuk është dërguar në paraburgim as mbajtje, personi i dytë është intervistuar dhe unë nuk kam informacione çka ka thënë”, ka thënë Kajtazi.

Kajtazi tha se nuk beson që sulmi i parë dhe i dyti kanë lidhje, megjithatë thotë se nuk e përjashton krejtësisht si mundësi, pasi sulmuesit nga rasti i parë janë të lirë.

“Nuk besoj që ka lidhje, logjikisht nuk duhet të ketë. Për shkak se në rastin kur ndodh një kërcënim zakonisht palët që nuk kanë guxuar të veprojnë iu krijohet një terren më i përshtatshëm. Mendoj që mund të jetë dikush tjetër, megjithatë nuk e përjashtoj mundësinë pasi janë në liri dhe mund të konsiderohen të dyshuar”, tha Kajtazi.

Kajtazi deklaroi se nuk ndihet i frikësuar nga ky rast.

“I frikësuar s’po ndihem. Nuk jam ndier as atë natë, e kam ditur se sulmi nuk është i artikuluar në atë formë që të ma cenojë integritetin fizik, por qëllimi është mesazhi. E kam marrë me sportivitet duke e ditur natyrën e profesionit. Ju them nëse kanë pakënaqësi ndaj ndonjë artikulli le të shkojnë në polici, gjykatë apo kudo, unë i respektoj, e jo kështu me plumba, sepse përveç që nuk më frikësojnë nuk mund as të më ndalin”, tha Kajtazi.

Kujtojmë se mbrëmjen e së shtunës, vetura e gazetarit të Gazetës Online “Reporteri.net”, Shkumbin Kajtazi, u bë cak i një sulmi me armë zjarri.