×
  • Lajme
  • Lajme / Reformat

    Shkurtimet buxhetore dhe prania diplomatike e SHBA në Kosovë e Ballkan, DASH: Puna vazhdon normalisht

    Reporteri
    03 Qershor 2025 | 18:45

    Pas marrjes për herë të dytë të Shtëpisë së Bardhë, Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka filluar një varg reformash, shkurtimesh buxhetore e mbyllje mediash e organizatash të cilat kanë funksionuar prej vitesh me paratë e taksapaguesve amerikanë, si USAID e Zëri i Amerikës.

    Në media prestigjioze si “The New York Times”, “Washington Post” “Reuters” “Le Monde” e “AFP” ka pasur raportime se ka plane edhe për shkurtime buxhetore sa i përket Departamentit Amerikan të Shtetit. Siç shkruanin këto media, bazuar në një “Memo”, shkurtimi buxhetor do të ishte rreth 50 % dhe se kjo do të rezultonte edhe me mbyllje ambasadash.

    Por a ka pasur ndonjë lëvizje konkrete nga DASH për reforma dhe shkurtime buxhetore sa i përket ambasadave që SHBA-ja ka në Ballkan dhe a ka ndonjë plan konkret sa i përket Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

    Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se s’ka asnjë mbyllje të ndonjë ambasade dhe as të ndonjë konsullate dhe se puna është duke vazhduar normalisht.

    Ky zëdhënës ka thënë se Departamenti Amerikan i Shtetit është duke vazhduar vlerësimet për programet dhe pozicionimin global të SHBA-së për t’u siguruar që janë në pozicionin më të mirë për të përballuar sfidat e kohës.

    “Nuk është njoftuar mbyllje ambasadash ose konsullatash dhe operacionet vazhdojnë normalisht. Departamenti i Shtetit vazhdon të vlerësojë programet dhe pozicionimin tonë global për të siguruar që jemi në pozicionin më të mirë për të përballuar sfidat moderne në emër të popullit amerikan”, ka thënë ky zëdhënës i DASH.

    Ambasada e SHBA-së në Prishtinë që nga largimi i ambasadorit Jeff Hovenier në dhjetorin e vitit të kaluar është duke vazhduar funksionimin me të ngarkuarën me punë Anu Prattipati.

    Shtetet e Bashkuara hapën për herë të parë Zyrë të Shërbimit të Informacionit të SHBA-së në Kosovë në vitin 1996. Mes viteve 1999-2008, Zyra e SHBA-së në Prishtinë funksionoi si misioni diplomatik i Shteteve të Bashkuara në Kosovë.Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, Shtetet e Bashkuara krijuan zyrtarisht marrëdhënie diplomatike me Kosovën dhe Zyra u bë Ambasadë më 8 prill 2008.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!