×
  • Lajme
  • Lajme

    Shneta: Pacientja ankohet për dëmtim të syrit në spitalin Otrila, Shefqet Krasniqi ndërmjetësoi për pagesën 10 mijë euro

    Reporteri
    01 Korrik 2021 | 17:09

    Një paciente është ankuar se pas një operacioni në vesh në Spitalin Otrila, i është dëmtuar të dëgjuarit dhe shikimi në njërin sy. Pas ankesës nga bashkëshorti i saj në këtë spital, mjeku që kreu operacionin Aziz Mustafa, ka ndërmjetësuar bashkë me hoxhën Shefqet Krasniqi për t’i dhënë para në mënyrë që rasti të mos paraqitet në gjyq.


    A.H. iu nënshtrua një operacioni para shtatë muajsh pas dhimbjeve dhe dobësimit të dëgjimit në veshin e djathtë. Por sipas bashkëshortit të saj, Nuridinit, operacioni nuk shkoi siç ishte pritur. Ai po ankohet tash e disa muaj për dëmtim të veshit pas operacionit, por edhe të shikimit në njërin sy, shkruan Gazeta Shneta.

    Ministrja Haxhiu lind fëmijën e tretë në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK
    “Gruaja nuk ka pasur probleme me shikimin asnjëherë. Për këtë kam dëshmitar. Problemet me shikimin kanë ndodhur pas operacionit”, ka deklaruar ai.

    Ai thotë se pasi u ankua në Spitalin Otrila tek mjeku i cili kreu operacionin, Aziz Mustafa, janë dakorduar që mjeku të mbulojë shpenzimet për ekzaminimin e syrit. Madje në këtë rast ndërmjetësoi edhe hoxha i njohur Shefqet Krasniqi.

    Nuridini thotë se me ndërmjetësimin e Krasniqit, Mustafa ia ka dhënë 10 mijë euro për të mbuluar shpenzimet, si dhe është zotuar se do ta përkrahë financiarisht për çfarëdo shpenzimi lidhur me shëndetin e saj në të ardhmen.

    “Pesë mijë mi ka dhan hoxha pa prezencën e tij, pesë mijë mi kanë dhënë kur ishim bashkë për dëmet që janë bë, por me një kusht që ai do të përkujdeset për shoqen time derisa të ketë probleme. Asnjëherë s’do t’i kisha pranuar po ta dija se do të ma bënin kështu”, deklaron Nuridini.

    “Sot bashkëshortja ima është pa njërin sy dhe nuk dëgjon me njërin vesh. Unë shkova sërish në mënyrë paqësore por ata u sollën shumë keq me mua para syve të djalit i cili vuan nga epilepsia. Doktori as që deshti me dit për ne”, ka deklaruar ai.

    Kompensimin prej 10 mijë eurosh Mustafa ua dha në mënyrë që të mos paraqitet rasti në gjykatë. Këtë e ka pranuar edhe vet mjeku në një deklaratë për Gazetën Shneta.

    “Pasi Nuridin Hoxha ka kërcnuar padi për rastin, me ndërmjetësimin e Efendi Shefqet Krasniqit, imam, fytyrë publike, pacientes dhe bashkëshortit iu është kërkuar të tregojë se çfarë shume financiare është e mjaftueshme për të mbyllur rastin për të mos shkuar gjyqeve. Ata janë deklaruar se shuma e kërkuar është 10.000 euro (dhjetëmijë euro) të cilat i kanë pranuar 5.000 euro me datë 12.12.2020 nga Efendi Shefqeti, në prani edhe të deshmitarit E***, kurse më datë 19.12.2020 Dr. Aziz Mustafa i ka dorëzuar edhe 5000 euro Nuridin Hoxhës, në prani të Hoxhë Shefqetit dhe janë marrë vesh që Dr. Azizi të kujdeset për veshin e opruar deri sa të ketë nevojë, pa kurrfarë kompenzimi, si shenjë e vullnetit të mirë. Nuridin Hoxha dhe Dr. Aziz Mustafa janë përshëndetur dhe janë përqafuar si shenjë e faljes dhe mirëkuptimit. Pas kësaj, Nuridin Hoxha i ka tërhequr postimet negative në Facebook”, ka deklaruar Mustafa në përgjigje përmes emailit.

    Mustafa thotë se përkundër kësaj marrëveshje me Nuridinin, ky i fundit ka postuar shkrime negative duke dëmtuar reputacionin e tij. Madje ai thotë të jetë ndier i kërcënuar nga Nuridini, pasi ky i fundit ka përmendur edhe Kanunin.

    “Sa i perket demtimit te shikimit, Dr. Azizi dhe Spitali Otrila presin ekspertize te pavarur gjyqesore, qofte kombetare qofte nderkombetare, sepse konsiderojne se nuk e kane demtuar ata shikimin, por ajo ka ndodhur si koincidence ne kohen e operimit, prandaj me shume ne baza humanitare jane munduar ta ndihmojne pacienten”, thuhet në përgjigje.

    “Poashtu, pasi Nuridin Hoxha ka vazhduar akuzat ndaj doktorit dhe spitalit, pa pasur gjyq as mendim te ekspertizes gjyqesore mjekesore te pavarur, Dr. Azizi ka ngritur dy akuza ndaj Nuridin Hoxhes, njeren civile per shantazh, shpifje dhe prishje te imazhit, tjetren penale per kercnim, sepse ka permendur kanunin dhe ka postuar foto ne Facebook duke ushtruar gjuatje me revole”, kanë deklaruar në përgjigje.

    Pasi është përmendur emri i Shefqet Krasniqit, Gazeta ka tentuar të kontaktojë me hoxhën por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje në adresën e tij në Facebook e as në mesazhet dhe thirrjet në telefon.

    Në anën tjetër Spitali Otrila nuk kanë pranuar të deklarohen për këtë rast duke thënë se i njëjti është paraqitur në gjykatë.

    Edhe Nuridini në fund ka deklaruar se rastin do ta paraqes në organet e drejtësisë.

    Më poshtë mund të gjeni sqarimin e plotë të rastit nga mjeku Aziz Mustafa. Emrat e apostrofuar janë mbuluar nga redaksia

    HISTORIKU I KONTESTIT

    Pacientja A.H. nga Prizreni ka bërë vizitë mjekësore gjatë muajit shtator 2020 në spitalin Otrila, për shkak dhembjes në vesh të djathtë, kullimit nga veshi i djathtë dhe dobësimit të dëgjimit në atë vesh. (shënimet janë në arkivat e Spitalit Otrila në Prishtinë). Kontrollën e parë e ka bërë Dr. B***, specialist i ORL dhe e ka udhëzuar te Dr. Aziz Mustafa, i cili pas ekzaminimit endoskopik ka vërejte se pacientja ka rrjedhje nga veshi i djathtë, vrimë në timpan të veshit, të shkaktuar nga rrjedhja dhe dhembje në ashtin parapa veshit. Eshtë dhënë terapi, është bërë audiorami tonal (matja e dëgjimit) dhe është kërkuar të bëhet Tomografia e Kompjuterizuar. Pas marrjes së rezultatit të Tomografisë, pacientes iu është propozuar operimi: mastoidektomia (pastrimi kirurgjik i qelizave të qelbëzuara nga ashti prapa veshit) dhe timpanoplastika (mbyllja e vrimës në timpanin e veshit). Operacioni është paraparë për datë 22. Tetor 2020. Një ditë para operacionit, pacientes i kanë bërë analizat e gjakut, që kanë qenë normale, është kontrolluar nga mjeku specialist anesteziolog, tash i ndjerë Dr. I***, i cili ka konstatuar se gjendja e përgjithshme e pacientit e lejon operimin e paraparë. Me datë 22.10.2020, pasi pacientja i ka nënshkruar fletëpëlqimet për operim ku shpjegohen të gjitha komplikimet e mundshme është kryer operimi:

    OP: MASTOIDECTOMIA CORTICALIS (SIMPLEX) ET TPL LAT. DEX.

    Operimin e ka kryer Dr. Aziz Mustafa, ka asituar Dr. B.***, ndërsa anestezionin e ka udhëhequr Dr. I***. Operacioni ka kaluar pa komplikime, por pas operimit, pacientja është ankuar për dhembje të syrit të djathtë, që sipas mendimit të mjekut nuk ka pasur lidhje me operimin. Sipas deklarimit të mjekëve, pacientja nuk ka pasur as nuk ka parezë të nervit facial, që është komplikim i mundshëm i operimit të tillë. Pacientja ka vazhduar me kontrolla, ka hequr penjtë, është bërë detamponada pas 2 javësh dhe është këshilluar të vizitohet te mjeku oftalmolog (specialist i sëmundjeve të syrit). Pacientja ka marrë terapi, por gjendja e syrit ka shkuar duke u keqësuar. Ka kërkuar ndihmë edhe te Klinika Gjermane e Syrit dhe ka marrrë terapi. Ndërkohë, bashkëshorti i pacientes Nuridin Hoxha, ka filluar postet në llogarinë e tij në Facebook ku ka akuzuar Spitalin Otrila si shkaktar të verbërimit të syrit të bashkëshortes së tij dhe ka kërkuar drejtësi nga opinioni publik. Pas bisedës së Nuridin Hoxhës me themeluesin dhe drejtorin e Spitalit Otrila Dr. L***, nën prezencë edhe të Dr. Aziz Mustafës, si fillim, pacientes iu kanë kthyer mjetet e operacionit në vlerë prej 1200 euro dhe iu është premtuar ndihmë për trajtim të mëtejmë të veshit pa ndonjë kompenzim. Pasi Nuridin Hoxha ka kërcnuar padi për rastin, me ndërmjetësimin e Efendi Shefqet Krasniqit, imam, fytyrë publike, pacientes dhe bashkëshortit iu është kërkuar të tregojë se çfarë shume financiare është e mjaftueshme për të mbyllur rastin për të mos shkuar gjyqeve. Ata janë deklaruar se shuma e kërkuar është 10.000 euro (dhjetëmijë euro) të cilat i kanë pranuar 5.000 euro me datë 12.12.2020 nga Efendi Shefqeti, në prani edhe të deshmitarit E***, kurse më datë 19.12.2020 Dr. Aziz Mustafa i ka dorëzuar edhe 5000 euro Nuridin Hoxhës, në prani të Hoxhë Shefqetit dhe janë marrë vesh që Dr. Azizi të kujdeset për veshin e opruar deri sa të ketë nevojë, pa kurrfarë kompenzimi, si shenjë e vullnetit të mirë. Nuridin Hoxha dhe Dr. Aziz Mustafa janë përshëndetur dhe janë përqafuar si shenjë e faljes dhe mirëkuptimit. Pas kësaj, Nuridin Hoxha i ka tërhequr postimet negative në Facebook.

    Pas kësaj, pacientja ka shkuar edhe një here gjatë dhjetorit në kontrollë te Dr. Aziz Mustafa, ku është konstatuar se gjendja e veshit është e mirë.

    Në vizitën mjekësore të datës 29.04.2021 në spitalin Otrila, Nuridin Hoxha ka bërë foto të paautorizuara në spitalin Otrila. Pacientja është vizituar nga Dr. Aziz Mustafa, kurse infermierja e audiologjisë i ka bërë matjen e dëgjimit, audiometrinë tonale e cila ka treguar dobësim konduktiv të dëgjimit në veshin e djathtë, në 40 dB, aq sa ka qenë edhe para operimit. Të gjitha këto audiograme dhe materiale janë në dosjen e pacientes në Spitalin Otrila. Pas kësaj vizite, pacientja po atë ditë ka shkuar edhe në një vizitë tjetër te një mjek ORL i cili i ka propozuar vendosje të aparatit të dëgjimit, ia ka dhënë çmimin e aparatit. Pacientja pastaj me Viber e ka kontaktuar Dr. Azizin, duke u ankuar se ai e ka shurdhëruar dhe e ka verbëruar dhe se gjoja ai nuk don të ndhmojë si ka premtuar. Doktori ia ka shpjeguar faktin se aparati i dëgjimit nuk vendoset për atë vlerë, kur veshi tjetër është i shëndoshë. Poashtu i ka shpjeguar se pacientja nuk ka rënje të dëgjimit në krahasim me dëgjimin para operacionit, por vetëm ndalje të kullimit dhe infekcionit. Pas kësaj bisede, bashëshorti i pacientes, Nuridin Hoxha ka filluar postimet ë llogarinë e tij në Facebook, ku ka kërkuar drejtësi dhe ka akuazuar Dr. Azizin dhe Spitalin Otrila si shkaktarë të fatkeqësisë së bashkëshortes së tij, duke ilustruar me foto që i ka bërë në Spitalin Otrila pa autorizim, që paraqet shkelje poashtu. Mes gjërave tjera negative, në fund të postimit ia ka kujtuar publikut dhe Dr. Aziz Mustafës ekzistencen e Kanunit, për të cilën konstatojmë se paraqet një kërcënim të tërthortë ndaj personalitetit të Dr. Aziz Mustafës, kurse postimet në FB e dëmtojnë shumë prestigjin e lartë dhe integritetin e mjekut në fjalë.

    Sa i perket demtimit te shiikimit, Dr. Azizi dhe Spitali Otrila presin ekspertize te pavarur gjyqesore, qofte kombetare qofte nderkombetare, sepse konsiderojne se nuk e kane demtuar ata shikimin, por ajo ka ndodhur si koincidence ne kohen e operimit, prandaj me shume ne baza humanitare jane munduar ta ndihmojne pacienten.

    Poashtu, pasi Nuridin Hoxha ka vazhduar akuzat ndaj doktorit dhe spitalit, pa pasur gjyq as mendim te ekspertizes gjyqesore mjekesore te pavarur, Dr. Azizi ka ngritur dy akuza ndaj Nuridin Hoxhes, njeren civile per shantazh, shpifje dhe prishje te imazhit, tjetren penale per kercnim, sepse ka permendur kanunin dhe ka postuar foto ne Facebook duke ushtruar gjuatje me revole.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!