×
  • Lajme
  • Lajme / Ngërçi

    Shoqëria civile: Moskonstituimi i Kuvendit po rrezikon përfitimet nga Plani i Rritjes

    Reporteri
    30 Maj 2025 | 17:11

    Përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe organizatat joqeveritare u kanë bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të konstituojnë këtë institucion, duke thënë se një nga pasojat e mosthemelimit të institucioneve është ngecja në ratifikimin e Planit të Rritjes.

    Përmes një reagimi, shoqëria civile tha se zvarritja e ratifikimit të marrëveshjes për Planin e Rritjes, rrezikon jo vetëm përfitimet e drejtpërdrejta financiare, “por edhe kredibilitetin e Kosovës si partnere e besueshme në proceset evropiane”, u tha në reagimin e organizatave të shoqërisë civile.

    Ata u bënë thirrje Kuvendit të Kosovës dhe deputetëve, që “të vendosin interesin publik dhe të ardhmen e qytetarëve mbi kalkulimet e ngushta politike dhe të ratifikojnë këtë marrëveshje sa më shpejtë që është e mundur”.

    “Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje, së bashku me marrëveshjen për huazim, është kyç për kualifikimin për parafinancim prej 61.8 milionë eurosh. Ky plan parasheh zbatimin e reformave të rëndësishme për integrimin evropian të vendit si dhe financimin e tyre me anë të fondeve nga ana e BE-së. Kosova parashihet që të përfitojë deri në 883 milionë euro për zbatimin e Agjendës së Reformave”, u tha në reagimin e shoqërisë civile.

    Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian synon përshpejtimin e integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në bllokun evropian, dhe sipas shoqërisë civile, ai paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik dhe për integrimin evropian.

    Kuvendi i Kosovës nuk është themeluar ende, edhe pse seanca konstituive ka nisur më 15 prill. Deri më tani, deputetët në 23 tentime kanë dështuar që të përmbyllin këtë proces. Çështja ka ngecur te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, propozimi për të cilin i takon fitueses së zgjedhjeve të shkurtit, Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo partia ka propozuar Albulena Haxhiun për këtë post.

    Por, Haxhiu po konsiderohet figurë përçarëse nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    Këto dy subjekte kanë kërkuar që LVV-ja të nxjerrë emër tjetër për kryeparlamentar. Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërkaq, ka thënë se nuk ka vota për asnjë të propozuar të LVV-së për postin e kryeparlamentarit.

    Faktori ndërkombëtar i ka bërë thirrje Kosovës që të formojë institucionet e reja, pas zgjedhjeve të shkurtit.

    Vetëm pas konstituimit të Kuvendit, hapet rruga për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!