×
  • Lajme
  • Lajme

    Shpërthimi në veturën Hajdarit të QKUK-së, Kurti: Aksion me elemente terroriste

    Reporteri
    01 Maj 2025 | 20:04

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar pas shpërthimit të veturës së ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Osman Hajdari, duke e cilësuar aktin si kriminal dhe të papranueshëm.

    Në një postim në Facebook, Kurti theksoi se krimi i organizuar dhe aktet me elemente terroriste nuk do ta ndalin qeverinë në përpjekjet e saj për reforma.

    “Sulmi i djeshëm ndaj z. Hajdari është dëshmi se përballë jemi me struktura që po u preken interesat e ngushta të instaluara për më shumë se 20 vjet në institucionet tona. Por akte të tilla nuk na ndalin – përkundrazi, na bëjnë edhe më këmbëngulës në rrugën tonë”, theksoi Kurti.

    Kryeministri në detyrë, së bashku me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, zhvilloi një takim me Hajdarin dhe Drejtorin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Elvir Azizi.

    Ai i bëri thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë që të zbardhin sa më parë rrethanat e këtij rasti dhe të sjellin para drejtësisë autorët e aktit.

    “Reformat që kemi nisur në çdo institucion publik janë të thella dhe në thelb kanë mbrojtjen e interesit publik dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët. Këto procese do të vazhdojnë pa kompromis”, përfundoi Kurti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!