×
  • Lajme
  • Lajme / Reagim

    Shpronësimi i pronave në veri përplas Qeverinë me QUINT-in

    Reporteri
    06 Qershor 2024 | 20:22

    Qeveria e Republikës së Kosovës ka reguar ashpër pas deklaratës së shtetev të QUINT-it, Zyrës së BE-së në Kosovë dhe misionit të OSBE-së, lidhur me shpronësimet e disa pronave në veri të vendit.

    Në reagimin e Qeverisë së Kosovës thuhet se QUINT, BE dhe OSBE në mënyrë të gabuar kanë konstatuar gjendjen faktike dhe kanë bërë vlerësim ligjor të pabazuar në argumente, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Qeveria po ashtu thkeson së në rastin e shpronësimeve në komunat veriore, ligji në këtë rast është zbatuar njësoj si edhe në të gjitha rastet tjera të shpronësimit për interes publik anekënd Kosovës.

    “Ndërtimi i projekteve infrastrukturore, përfshirë këtu stacionet e policisë, do të ndihmojnë në parandalimin e dhunës, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këto janë qëllime të ligjshme dhe mëse legjitime që i kontribojnë forcimit të zbatimit të ligjit e mbi të gjitha, sigurisë së qytetarëve që për një kohë të gjatë ishin subjekt i dhunës e terrorit të bandave kriminale të udhëhequra nga krye-terroristi Milan Radojçiq, i sanksionuar edhe nga Thesari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ashtu siç është konstatuar edhe nga Raporti i Juristëve Eminentë të Këshillit të Evropës, Kosova ka legjislacion të avancuar që siguron mbrojtje të lartë të të drejtave dhe lirive të njeriut, sidomos ato të komuniteteve jo shumicë. Juristët Eminentë kanë konstatuar se: Korniza ligjore e Kosovës është ndikuar fuqishëm nga Komuniteti Ndërkombëtar dhe shkon përtej standardeve ndërkombëtare.”, thuhet në deklaratën e Qeverisë së Kosovës.

    Qeveria ka shprehur shqetësimin edhe që deklarata i referohet shpronësimit në disa komuna të Kosovës si “komuna me shumicë serbe”.

    “Komunat në Kosovë kanë emra të veçantë e përkatës dhe qeveria nuk u referohet si komuna me shumicë shqiptare, serbe, turke etj. pasi kjo nuk është në përputhje me karakterin multietnik të kushtetutës së Kosovës. Shpronësimet duhen vlerësuar për nga ligjshmëria, të drejtat e njeriut dhe interesi publik e jo për nga përkatësia etnike e qytetarëve.”, thuhet tutje në reagim.

    Gjatë ditës shtetet e QUINT-it, ku përfshihen ambasada e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, së bashku me Zyrën e BE-së në Kosovë dhe Misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kosovë, ka shorehur keqardhje për vendimin e marrë nga Qeveria e Kosovës më 30 maj që të finalizojë shpronësimin e mbi 100 parcelave të tokës në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përcjell Reporteri.net.

    Qeveria e Kosovës ka filluar procesin e shpronësimit në komunën e Leposaviqit dhe atë të Zubin Potokut në mes të janarit të vitit 2023, kur disa toka atje i ka shpallur “pasuri të paluajtshme me interes të veçantë publik – të nevojshme për realizimin e projekteve infrastrukturore me interes publik”.

    Bazuar në vendimin paraprak të Qeverisë, sipërfaqja e përgjithshme e shpronësimit të planifikuar atëkohë ka qenë rreth 104 hektarë në Leposaviq dhe rreth 33 hektarë në Zubin Potok.

    Në reagimin e QUINT-it dhe BE-së, thuhet se “disa nga misionet tona kishin ndarë më herët me Qeverinë vlerësimet e ekspertëve ligjorë ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, që tregon se Qeveria ka shkelur ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit”.

    “Vërejmë se sistemi gjyqësor i Kosovës ka identifikuar shqetësime të ngjashme ligjore me vendimin preliminar të shpronësimit, të cilin Qeveria ende nuk e ka adresuar”, thuhet në reagim.

    Tutje, theksohet se përderisa disa nga pronat e paraqitësve të kërkesës u hoqën nga vendimi përfundimtar i shpronësimit, “na vjen keq që qeveria e Kosovës nuk priti që të gjitha procedurat e hapura gjyqësore të gjykoheshin plotësisht përpara se të merrte këtë vendim”.

    “Është thelbësore që qeveria të bëjë përpjekje për të siguruar që aktivitetet e shpronësimit të jenë në përputhje me ligjin, që të ndiqet procesi i duhur dhe që të drejtat pronësore të pronarëve dhe titullarëve të të drejtave të respektohen plotësisht”, thuhet tutje.

    “Ndarazi, ne i kemi shprehur shqetësimet tona Qeverisë se projektligji i shpronësimit nuk është në përputhje me zotimet e Kosovës të marra sipas Planit të Ahtisaarit dhe kemi inkurajuar atë që ta modifikojë ligjin në përputhje me rrethanat përpara se ta miratojë atë”, thuhet tutje në reagimin e QUINT-it dhe BE-së.

    Tutje, theksohet nga QUINT-i dhe BE-ja që qeveria t’i përmbahet sundimit të ligjit.

    “Ne inkurajojmë qeverinë e Kosovës që t’i përmbahet sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, të cilat janë themelet e shoqërive vitale dhe demokratike. Për më tepër, ne i bëjmë thirrje Qeverisë që të riafirmojë përkushtimin e saj ndaj parimeve të Ahtisaarit, duke përfshirë mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve jo-shumicë”, përfundon reagimi./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!